Projekti “Lungo Mare”, qeveria vendos për shpronësim e pronave në Vlorë

Këshilli i Ministrave ne mbledhjen e se martes ka vendosur për shpronësimin për interes publik të objekteve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare Uji i Ftohtë- Tuneli, bashkia Vlorë. Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Kryeministrisë, theksohet se ky vendim shpreh vullnetin e Qeverisë shqiptare për të garantuar pasuritë e qytetarëve, të cilët në mirëbesim kanë blerë prona private që ndodhen në këtë vijë bregdetare.Kështu shpronësimi për interes publik i pasurive të paluajtshme, pronë private, objekte, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare, Ujë i Ftohtë - tuneli, bashkia e Vlorës, bëhet në favor të bashkisë së Vlorës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.Po sipas vendimit të KM, Pronarët e ligjshëm të pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen e përgjithshme 8396 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2 ndërtim, të vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 462 919 230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh.Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 462 919 230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh, të përballohet, përkatësisht, 362 919 230 (treqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 100 000 000 (njëqind milionë) lekë nga fondi i kontingjencës.Ndërkaq pronarët e ligjshëm të pasurive të shpronësuara të kompensohen, për efekt të këtij shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor të pronësisë, ndërsa afati i përfundimit të shpronësimit është data 28.12.2013.Ndjekja dhe zbatimi i këtij vendimi do të bëhet nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave dhe bashkia e Vlorës.