Pezullohet kryeprokurori i Pukës dhe oficeri i policisë gjyqësore
Pezullohet drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, Pëllumb Prençi dhe oficeri i policisë gjyqësore Hasan Alia.Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra dhe fillimin e hetimeve ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, Pëllumb Prençi dhe oficerit të policisë gjyqësore, Hasan Alia, të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, bazuar në pamjet e transmetuara mbrëmjen e së martës (26.11.2013) në emisionin “Fiks Fare”.
Prokurori i Përgjithshëm urdhëroi gjithashtu Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Njësinë Task-Force të kryejë hetime të plota për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje.Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili i kërkon Prokurorisë, të hetojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe me objektivitet ngjarjen dhe faktin nese ka gjyqtare te implikuar ne kete ngjarje.Njëkohësisht Këshilli garanton opinionin publik se do të mbështesë dhe do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me cdo institucion shtetëror në hetimin objektiv ndaj cdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive.