Statusi i kandidat në dhjetor, tre ministra të kabinetit “zbarkojnë” në Bruksel
Ndërsa mbeten vetëm pak javë përpara marrjes së vendimit për statusin e Shqipërisë nga vendet anëtare të BE, tre ministra të kabinetit “Rama” zbarkojnë në Bruksel për të lobuar për një përgjigje pozitive.Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha së bashku me Ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, janë nisur drejt Brukselit për një vizitë tepër të rëndësishme zyrtare.Ata do të raportojnë mbi masat që janë ndërmarrë deri tani për plotësimin e prioriteteve të lëna nga Komisioni.Ministrat shqiptarë do të zhvillojnë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe institucione të tjera të BE-së.Ditën e premte në datë 22 nëntor, ora 09:30 – 10:15 tre ministrat do të kenë një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (European External Action Service), Pierre Vimont.Në vijim në orën 11:00 – 12:30 do të mbahet një panel për Shqipërinë në European Policy Center me prezencën e tre ministrave, i drejtuar nga z. Joost Korte zv/DP i DP për Zgjerimin, dhe z. Rjelic, Drejtor i Zyrës së SËP në Bruksel.Nga ora 13:00 – 14:30 do të zhvillohet një takim pune me ambasadorët e BE-se, Komisionit Europian dhe EEAS. Rreth orës 16:10 – 17:10 është planifikuar një takim pune me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malsmtrom.Vizita e tre ministrave të kabinetit “Rama”, është e fundit e planifikuar deri në dhjetor, kur do të merret vendimi nga shtetet anëtare të BE-së nëse Shqipërisë do t`i jepet ose jo statusi i vendit kandidat.