Lamtumirë Sokol Olldashi... Shqipëria në zi kombëtare në nderim të deputetit
Mes dhimbjesh dhe lotësh, është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës deputeti demokrat Sokol Olldashi i cili ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti tragjik.







Kortezhi mortor me trupin e pajetë të Sokol Olldashit doli rreth orës 12:00 nga shtëpia për t`u drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ku ai hyri për herë të fundit.
Familjarë, të afërm, miq, kolegë, përfaqësues të lartë të shtetit dhe politikës, qytetarë të shumtë kanë zhvilluar homazhe përpara arkivolit me trupin e pajetë të Kolit, babait dhe kolegut të shtrenjtë.




Homazhet për Sokol OlldashinI pari që kanë zhvilluar homazhe kanë qënë kryetari i PD-së Lulzim Basha i cili është përlotur përpara arkivolit me trupin e pajetë të Sokol Olldashit.
Kreu i PD-se, Lulzim Basha ne mesazhin e tij të lamtumires, deklaroi se zoti Olldashi do të mbetet një impuls force për PD dhe gjithë të dashurit e tij.“Këtu ku sot jemi mbledhur, për ti dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë. Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm.Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë në këmbë, gjithnjë në krye, me pamjen e tij të vendosur e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli viteve të moshës së burrërisë dhe pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike. Të dashur familjarë dhe të afërm të Sokolit, të nderuar miq dhe kolegë,Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lotë dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur. Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë.
Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi: Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh! Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja. Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona. Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane.Sepse ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë.Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij. Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij. Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë! Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë te liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore.Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre.Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort,djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme.Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë. Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm.Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla.U prefsh në paqe! ” tha Basha, gjate fjales se tij.
Më pas ka qënë ish-kryeministri Sali Berisha duke u ndjekur më pas edhe nga i gjithë grupi parlamentar demokrat.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe dua të them që Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, me veprimtarinë e tij për gjithçka që ka bërë për Partinë Demokratike dhe për të gjithë kombin” është shprehur Berisha në një prononcim të shkurtër për mediat.Homazhe ka zhvilluar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili më pas ka lënë edhe një shënim në librin e ngushëllimit.
Gjithashtu homazhe ka kryer edhe i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste i kryesuar nga kreu i grupit Gramoz Ruçi.
"Është një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten, fëmijë, politikën shqiptare, për opozitën, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi të gjithë këtu si grup parlamentar, për të nderuar e respektuar si njeri, si politikan dhe si kundërshtar, vëllain, mikun, Sokol Olldashi”, është shprehur Ruçi.Homazhe kanë zhvilluar gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe deputetë dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Nano: Sokol Olldashi iku para kohe, nuk ishte radha e tijGjithashtu homazhe ka zhvilluar edhe ish-kryeministri Fatos Nano i cili ka theksuar se Sokol Olldashi do t`i mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës.
"Sokol Olldashi ishte njëri nga ne, politikanë të trazicionit me sakrificat, me kontributet dhe debatet që i shoqërojnë të gjithë. Fatkeqësia është se iku pa radhë, nuk ishte radhë e tij. Sigurisht që do ti mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës por edhe të ardhmes. Respekte" shtë shprehur Fatos Nano.Edhe kreu i shtetit Bujar Nishani i shoqëruar nga zonja e parë e vendit Odeta Nishani u janë bashkuar homazheve për deputetin Olldashi.
Homazhe kanë zhvilluar edhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i shoqëruar nga Ministri i Kulturës Memli Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të kabinetit u kanë shprehur ngushëllime familjarëve.
Kreu i LDK, Isa Mustafa, në homazhet ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqte, PD dhe politikën shqiptare.“Të gjithe ne e kemi përjetuar shumë rëndë këtë vdekje tragjike të Sokol Olldashit. Kemi ardhur t’i shprehim ngushëllime familjes, PD, popullit shqiptar, politikës shqiptare. Një shqiptar që është munduar të rezatojë pozitivitet në zhvillimet e përgjithshme. Lus familjen dhe të gjithë të bëhemi të fortë të përjetojmë këtë rast të rëndë tragjik. Por kemi parasysh veprën e tij, personalitetin e tij, dhe të përpiqemi ta kalojmë dhimbjen për këtë humbje”, u shpreh Mustafa.Edhe kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka ngushëlluar familjen dhe miqte e të ndjerit Sokol Olldashi.
Parlamenti shtyn punimetNdërkohë për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi, Kuvendi i Shqipërisë njofton se seanca plenare e parashikuar për sot shtyhet për javën e ardhshme.Bashkia: Flamujt në Tiranë në gjysmështizëBashkia e Tiranës ka njoftuar se gjatë homazheve për nder të deputetit demokrat Sokol Olldashi flamujt në të gjithë kryeqytetin do të ulen në gjysmështizë.Vdekja e Sokol Olldashit, qeveria shpall ditë zie kombëtareQeveria ka shpallur sot ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.VendimiNë mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i MinistraveV E N D O S I:1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.3. Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.