Sequi: Respektimi i të drejtave të njeriut, kusht kryesor për integrimin në BE

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi i ka kujtuar edhe njëherë Shqipërisë respektimin e të drejtave të njeriut si një nga kushtet kryesore për integrimin në familjen europiane. Ambasadori tha se vullneti politik dhe reformat nuk janë të mjaftueshme në rast se nuk respektohen të drejtat e individit.“Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e fëmijëve janë pjesë e kritereve të Kopenhagenit, kritere thelbësore për tu plotësuar për tu bërë anëtar i BE. A është e lehtë kjo? Sigurisht që jo, kërkon kohë, angazhim, vullnet politik dhe sigurisht implementim.Deklaratën kryediplomati e bëri gjatë një bashkëbisesimi me nxënës të shkollave të mesme ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Mireqenies Sociale dhe Rinise, Erion Veliaj. Të rinjtë ngritën shqetësimin për përjashtimin e disa nxënësve nga shkolla për shkak të pjesmarrjes në protestën kundër armëve kimike. Ata ngritën pyetjen nëse ky ishte dhunim i të drejtave të tyre.“ Nëse do të isha një nga prindërit fëmija e të cilit kishte dalë në protestë do të doja si prind të isha në dijeni që ai po protestonte. Nga njëra anë janë të drejtat e fëmijëve, por nga ana tjetër janë dhe përgjegjësitë. Megjithatë duhet të dini se asnjë nxënnës nuk është përjashtuar” tha Veliaj.“Mendoj se nuk ishte rruga e drejtë penalizimi i nxënësve. Madje sipas meje për armët kimike si dhe për vendimin për të dalë në protesta duhet të ishin zhvilluar debate në shkollë. Megjithatë mendoj se protesta ishte një moment krenarie për Shqipërinë” tha përfaqësuesi i BE.Në takim të rinjtë kërkuan më shumë vëmendje për talentin e tyre nga shkollat.