Gjosha pret delegacionin e rajonit të Pulias: Të angazhuar për të rritur bashkëpunimin rajonal
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti në një takim Delegacionin e Rajonit të Pulias, i cili ka mbështetur dhe bashkëpunuar në Shqipëri me një sërë projektesh në fusha të rëndësishme. Ky delegacion shoqërohej nga ambasadori i Italisë në Shqipëri Masimo Gaiani.“Ne punojmë prej 9 vitesh me Shqipërinë në kuadër të një sërë programesh të rëndësishme. Kemi pasur shumë eksperienca në këtu dhe përparësia jonë kryesore është të lehtësojmë sa më shumë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kemi pasur bashkëpunim me qeveri të ndryshme në Itali për këtë çështje dhe do të vijojmë ta kemi edhe në vijim”, tha Silvia Godelli, ministrja rajonale për Mesdheun dhe Turizmin.Ajo theksoi se Rajoni i Pulias, ka ndjekur programin IPA, 2007-2013 dhe është ngarkuar për administrimin e programit të ri Itali-Shqipëri-Mal i Zi për vitin 2014-2020.“Presim më shumë vëmendje dhe kujdes ndaj fondeve të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu kemi pritshmëri të larta nga qeveria e re. Jemi popuj miq, kemi të njëjtat interesa, fati juaj është edhe fati ynë. Prandaj bashkëpunimi me ju për ne është shumë i rëndësishëm”, tha Godelli.Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, falenderoi Delegacionin për vizitën. Ajo theksoi se momentalisht Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm, pasi vetëm pas pak javësh, do të merret vendimi për statusin e vendit kandidat.“Është një vendim që nuk do të merret vetëm duke parë reformat dhe progresin e Shqipërisë, por duke i dhënë një vëmendje të madhe edhe bashkëpunimit rajonal. Në këtë kuadër unë dua t’ju garantoj se jemi të angazhuar për të shtuar këtë bashkëpunim në të ardhmen dhe sidomos me Italinë e cila ka qenë një prej vendeve që na ka mbështetur që në nisje të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ministrja.Ajo nënvizoi se bashkëpunimi me Italinë mund të shtrihet në shumë fusha, por mund të thellohet në : infrastrukturë, projektet e përbashkëta energjetike, kulturë , turizëm dhe për mirëqenien sociale.“Nga Ministria e Integrimit Evropian do të keni disponibilitetin maksimal për të bashkëpunuar edhe në nivel teknik sidomos në kuadër të programeve IPA dhe projekte të tjera të përbashkëta”, tha ministrja Gjosha.