Etika parlamentare, OSBE trajtnim deputetëve të rinj në Kuvend

Nën kujdesin e veçantë të Kuvendit të Shqipërisë dhe me mbështetjen e OSBE-së, në Tiranë u zhvillua sot seminari me temë: “Orientimi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Shqipërisë “ të Legjislaturës së VIII, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.Të pranishëm në panel ishin Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, Zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së , Robert Wilton, në Tiranë, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Shtylla, deputeti më i vjetër i Kuvendit, Namik Dokle.Ky seminar ka si qëllim orientimin, njohjen e deputetëve të rinj me rolin dhe mënyrën e funksionimit të parlamentit, procedurave parlamentare, seancat plenare, komisionet e përhershme, byroja, konferenca e kryetarëve, dhe të gjithë procesin legjislativit, etj. Të gjitha këto ishin përmbledhur në një manual të përshkrimit të punës të Kuvendit të Shqipërisë.Në fillim të fjalës, Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule i uroi suksese të gjithë deputetëve të rinj në detyrën e tyre dhe vlerësoi shumë rolin e parlamentit, të demokracisë së parlamentarizmit.“Ky parlament gjatë aktivitetit të tij, do të bëjë të mundur që vendi ynë të fitojë statusin e vendit kandidat në BE. Është një sfidë dhe për të kemi punuar të gjithë, pa dallime partiake. Ajo që na pret krahas aspektit pozitiv, përmban një shkallë tjetër sfidash e cila do të shoqërohet me çeljen e negociatave. Negocimi është një sfidë në vetvete. Kërkon nga ne të gjithë, nga institucioni, ekspertizë, mendim të kualifikuar, maturi politike, gatishmëri bashkëpunimesh dhe vullnet politik për konsensuse të mëdha dhe për sintezë alternativash”.Zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton përgëzoi administratën e Kuvendit për profesionalizmin, përkushtimin, dhe për krijimin e këtij programit të ri, i cili vlen për të mësuar rreth funksionimit, strukturës, stafit të Kuvendit të Shqipërisë.‘”Prezenca e OSBE-së beson fuqimisht në rolin unik dhe rëndësinë e Kuvendit, si institucion i pavarur, demokratik, dhe secili prej jush luan një rol kyç në emër të qytetareve të këtij vendi. Ju duhet të siguroni se ata qeverisen në mënyrë të drejtë, legjislacioni të jetë i drejtë,i konsultuar në mënyrë të duhur , të dëgjohen zërat e qytetarëve”, deklaroi z. Wilton.Wilton shprehu gatishmërinë që Prezenca OSBE ka për të bashkëpunuar me legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet bashkëpunim rajonal, rrjetëzimin , si për deputetët, administratën e Kuvendit.Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Shtylla, bëri një rezyme të përgjithshme deputetëve të rinj të të gjithë procesit të punës së institucionit të Kuvendit dhe u ndal për secilën drejtori, në veçanti.Shtylla vuri theksin se Shqipëria është në një moment të rëndësishëm, në atë të marrjes së statusit të Vendit Kandidat në BE. Duke qenë në një proces të rëndësishëm, shërbimet e Kuvendit kanë detyrë për t’iu përgjigjur sa më mirë përmirësimit të punës dhe të veprimtarisë një prej pushteteve më të rëndësishme, pushtetit legjislativ.Në vijim, si deputeti më i vjetër dhe ish- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, pasi falënderoj të gjithë organizatorët për realizimin e këtij aktiviteti shumë të frytshëm për deputetët e rinj, bëri një përshkrim të detajuar të funksionimit të punës në parlament. Dokle u shpreh se parlamentarizmi dhe Kuvendi janë shtyllat themelore dhe vitale të demokracisë.