Katastrofa në Sardenja, Nishani mesazh ngushëllimi homologut italian

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i dërgon mesazh ngushëllimi homologut italian, Giorgio Napolitano, me rastin e katastrofës natyrore të ndodhur në ishullin e Sardenjës.“Me trishtim të madh po ndjek situatën e rëndë që po kalon Sardenja këto ditë, shkaktuar nga cikloni Kleopatra, pasojat e së cilit janë humbje jetësh dhe mijëra të plagosur dhe dëme të pallogaritshme materiale.Më lejoni, Zoti President, që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh juve, dhe nëpërmjet jush, familjeve të viktimave, ngushëllimet më të ndjera dhe më të sinqerta për këtë tragjedi natyrore që ka tronditur popullin mik italian!Ju lutem pranoni, Zoti President, ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar në këto momente kaq të vështira që po kalon Italia mike! Ne të gjithë lutemi për viktimat e kësaj tragjedie, të plagosurit e fëmijët dhe ndajmë me ju dhimbjen e thellë që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore!” – përfundon mesazhi i Presidentit Nishani” shkruan Nishani.Një ditë pas ciklonit që shkaktoi përmbytje të mëdha, në ishullin e Sardenjës po vazhdon puna e forcave të shpëtimit në ndihmë të popullatës se goditur nga kjo fatkeqësi natyrore.Dëmet materiale janë të pallogaritshme dhe kanë prekur shumicën e zonave të ishullit. Rreziku tani vjen nga një tjetër valë moti i keq dhe reshjesh që parashikohet për 24-30 orët e ardhshme dhe jo vetëm në Sardenja, por edhe në zonat jugorë të Kalabrisë dhe Pulias.