Cikloni "Cleopatra" në Sardenjë, vijojnë kërkimet për të mbijetuarit
Gjatë natës ekipet e shpëtimit në Sardenjë nuk kanë ndalur asnjë moment punën për t`iu ardhur në ndihmë njerëzve të goditur nga cikloni "Cleopatra".Ka qenë një natë e qetë ajo në zonat e prekura nga përmbytjet që shkaktuan vdekjen e 16 personave midis tyre dy fëmijë. Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë janë në kërkim të një personi që rezulton i zhdukur si dhe të një tjetër fëmije.Gjatë natës është punuar shumë për të nxjerrë ujin jashtë banesave në mënyrë që të shpëtoheshin ato pak metariale që kishin mbetur. Zjarrfikësit i kanë shpëtuar jetën një të moshuare që kishte mbetur e bllokuar në banesën e saj. Më shumë se 200 persona janë ndihmuar nga mbrojtja civile.Pjesa më e madhe e qytetit me afro 56 mijë banorë, raportohet se është nën ujë. Shumë shkolla janë mbyllur pasi meteorologët parashikojnë më tepër reshje shiu. Autoritetet po përpiqen ta ripërtërijnë furnizimin me rrymë elektrike në disa pjesë të ishullit.