Gjenevë, mbahet sot takimi për Iranin
Irani dhe gjashtë fuqitë botërore nisin sot raundin e ri te bisedimeve në Gjenevë, në lidhje me programin bërthamor të Republikës Islamike.Bisedimet kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje, sipas së cilës, Irani do të pezullonte aktivitetet e ndjeshme nukleare për gjashtë muaj, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve nga Perëndimi. Fuqitë perëndimore duan që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit në 20 për qind.Ato po ashtu janë të shqetësuara për një reaktor në ndërtim të Iranit, i cili do të prodhojë plutonium. Perëndimi thotë se Irani synon krijimin e armës bërthamore, por ai insiston se programi i tij atomik është krejtësisht paqësor. Dy palët janë takuar para dhjetë ditësh në Gjenevë, por kanë dështuar në arritjen e marrëveshjes.Një ditë më parë Presidenti amerikan Barak Obama u ka kërkuar ligjvënësve të shtyjnë vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit, ndërkohë që negociatat ndërkombëtare që synojnë frenimin e programit bërthamor të Teheranit janë duke vazhduar.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se duke marrë parasysh fillimin e raundit të ri të negociatave në Gjenevë, do të ishte mirë që Senati të mos votojë për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit. Sanksionet ndërkombëtare e kanë dëmtuar ekonominë e Iranit.