OKB: Ndërtimi i vendbanimeve izraelite dëmton procesin e paqes

OKB deklaron se shanset për një marrëveshje të negociuar mes dy shteteve që do t’i jepte fund konfliktit dhjetëra vjeçar mes izraelitëve dhe palestinezëve mund të "dëmtohen rëndë" nëse Izraeli nuk ndalon ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun e pushtuar Perëndimor.Shefi i OKB-së për çështjet politike, Jeffrey Feltman deklaroi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se të dërguarit izraelitë dhe palestinezë kanë bërë disa përparime "drejt zgjidhjes së dallimeve të tyre" gjatë bisedimeve të vazhdueshme.Por Feltman gjithashtu përmendi "presionet" e nxitura nga debati për ndërtimin e vendbanimeve të reja, dhe tha se "pasojat nga dështimi i bisedimeve do të ishin të tmerrshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët."Zyrtari i OKB-së fajësoi një numër njoftimesh izraelite në fillim të këtij muaji për miratimin e planeve për ndërtimin e më shumë se 20 mijë banesave të reja, shumica prej tyre në një zonë të kontestuar jashtë Jeruzalemit të njohur si zona E1.Palestinezët thonë se ndërtimet do të mbyllnin një nga hapësirat e fundit të hapura në mes të Jeruzalemit Lindor dhe Bregut Perëndimor.