Sardenjë, 17 të vdekur nga cikloni “Cleopatra”
17 të vdekur dhe 5 të zhdukur, rrugë e shtëpi të përmbytura, qindra të zhvendosur, ura të shembura, vërshime lumenjsh, ndërprerje energjie elektrike, vështirësi në trafik, vonesa në transportin ajror dhe hekurudhor.Është ky bilanci provizor i shkatërrimeve të shkaktuara nga cikloni “Cleopatra” në Sardenjë, që mund të rëndohet më tej në orët në vijim.Një “masakër” e vërtet, me 17 viktima, mes të cilëve një grua e re në moshë së bashku me të bijën, si dhe një polic.Kreu i Mbrojtjes Civile, Franco Gabrielli, pas një bisede të gjatë telefonike me kryeministrin Enrico Letta, ka mbledhur urgjentisht në Romë komitetin operacional të Mbrojtjes civile, për të bërë llogaritë.Presidenti i rajonit të Sardenjës, Ugo Cappellacci, është nisur për në Gallura dhe do të bëjë një inspektim në zonat më të prekura.Shira të pandërprerë, që prej natës së kaluar, dhe erëra të “çmendura” me shpejtësi 100 km/h, kanë gjunjëzuar Sardenjën.Përveç Gallura-s, edhe Ogliastra, Oristanese dhe Medio Campidano, janë zonat më të prekura. Vërshimi i ujrave ka shkaktuar dëme të mëdha edhe nëpër fermat bujqësore, teksa rrugët rurale janë përshkuar tërësisht nga përrenjtë dhe qindra kafshë kanë ngordhur.