Sardenjë, gjendje emergjence. Letta: Tragjedi kombëtare

Tragjedi kombëtare e ka quajtur kryeministri i Italisë atë që ka ndodhur në Sardenjë, ku si pasojë e ciklonit “Cleopatra”, 18 persona humbën jetën, dy të tjerë raportohen të zhdukur dhe u shkaktuan dëme të konsidërueshme në banesa e rrugë.Ai ka njoftuar shpalljen e gjendjes së emergjencës për shkak të motit, duke bërë apel për bashkëpunim. Sipas tij, në dispozicion janë vënë 20 milionë euro për tu ardhur në ndihmë banorëve dhe për ndërhyrje në zonën e dëmit.Ndërkohë pamjet e postciklonit dhe dëmeve të shkaktuara kanë bërë xhiron e botës, duke u bënë lajm në agjencitë e huaja.Kreu i Mbrojtjes Civile, Franco Gabrielli, pas një bisede të gjatë telefonike me kryeministrin Enrico Letta, ka mbledhur urgjentisht në Romë komitetin operacional të Mbrojtjes civile, për të bërë llogaritë.Presidenti i rajonit të Sardenjës, Ugo Cappellacci, është nisur për në Gallura dhe do të bëjë një inspektim në zonat më të prekura.Shira të pandërprerë, që prej natës së kaluar, dhe erëra të “çmendura” me shpejtësi 100 km/h, kanë gjunjëzuar Sardenjën.Përveç Gallura-s, edhe Ogliastra, Oristanese dhe Medio Campidano, janë zonat më të prekura. Vërshimi i ujrave ka shkaktuar dëme të mëdha edhe nëpër fermat bujqësore, teksa rrugët rurale janë përshkuar tërësisht nga përrenjtë dhe qindra kafshë kanë ngordhur.