Thaçi: Arrestimi i Limajt nga EULEX-i, i motivuar politikisht
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar të padrejtë arrestimin e njërit nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, deputet dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.Në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Thaçi, ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’i arrestojë luftëtarët e lirisë së Kosovës.“Askush nuk ka të drejtë të njollos luftën e UÇK-së, e as EULEX-it fshehtas dhe prapa shpinës së institucioneve të arrestojë luftëtarët tanë, si deputetin Fatmir Limaj. Kjo është fyerja më e rëndë në këto ditë feste”, ka thënë Thaçi.Një veprim të tillë, ai e ka cilësuar "të papranueshëm dhe fyerje për drejtësinë".Në anën tjetër, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet lidhur me rastin e fundit të EULEX-it, por ka kërkuar nga politikanët dhe institucionet politike, që, për çështje parimore, t’iu shmangen komentimeve për rastet që vazhdojnë.“Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në proces gjyqësor. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre. Vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë të motivuara politikisht”, thuhet në deklaratën e Zhbogarit.Avokatët mbrojtës kanë dorëzuar sot ankesën kundër vendimit të gjykatës, duke thënë se mbi këtë vendim rëndon një pikëpyetje e madhe ligjore.