Thaçi: Më mirë të ishim një shtet
Në praninë e disa dhjetëra pjesëmarrësve, nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, u mbajt Akademi Solemne, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Mirëpo në këtë ceremoni e cila u mbajte për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, munguan përfaqësuese të partive opozitare si dhe pjesëtare nga familja e komandantit legjendar, Adem Jasharit dhe ajo e Ramush Haradinaj.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili foli për rëndësinë e 100 vjetorit të pavarësisë dhe personalitetet që kontribuuan në themelimin e shtetit shqiptar, tha se Kosova ka dhënë kontributin themelor për pavarësinë e Shqipërisë, megjithatë mëse gjysma e trojeve shqiptare, mbeten jashtë Shqipërisë. Thaçi pohoi se dy shtete nuk u bënë më dëshirën tonë dhe se me më dëshirë do të jetonim me një shtet të vetëm.“Edhe sot ka të tillë që na thonë se i keni dy shtete. Dy shtete ne nuk i bëmë me dëshirën tonë. Ky është realitet. Por më me dëshirë dhe shumë më mirë, do të jetonim në një shtet të vetëm brenda familjes evropiane... Në këtë periudhë të rëndësishme për kombin tonë duke festuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke festuar ngritjen e flamurit kombëtar, uroj gjithë shqiptarët kudo që janë të festojnë me dinjitet dhe krenari. Këto janë momente të shqiptarëve. E ardhmja u takon shqiptarëve”, ka thënë Thaçi.Më tej ai tha se shumë gjenerata, sakrifikuan për liri pavarësinë e Kosovës dhe se përpjekjet e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, si shtet janë përpjekje për liri pavarësi dhe bashkim. Ai, po ashtu, ka thënë se rezistenca e shqiptarëve ndër vite, kulmoi me luftën dhe fitoren e UÇK-së, duke kujtuar të gjithë të rënët për lirinë e vendit.Ndërsa veprimtari Adem Demaçi, pohoi se rruga e shqiptarëve është e shtruar me gjak dhe se gjaku i dëshmorëve nuk shuhet. Sipas Demaçit me ndihmën e zotit dhe pushkën e luftëtarëve tanë, erdhëm në një ditë pa dëshirën tonë, ku ekzistojnë dy shtet shqiptare, të cilat këndojnë dy himne dhe se kjo, sipas tij, është një paradoks në vete.Demaçi, megjithatë, theksoi se shpreson që 125 vjetorin, ta festojmë duke zgjidhur të gjitha problemet tona, që janë grumbulluar që nga koha e otomanëve deri në ditët e sotme, pasi që jemi një komb i ndarë në gjashtë copë pa fajin tonë. Ai ka përmendur dhe probleme tjera me të cilat ballafaqohet vendi si ato ekonomike e probleme tjera, të cilat, siç tha ai, janë si rezultat i një niveli jo të duhur të organizimit dhe vetëdijes, e të cilat nuk po mund të tejkalohen shpejtë. Sipas tij, për t’i kaluar këto detyra të vështira që Kosova ka para vetës, duhet të mësojmë nga miqtë tanë dhe të ecim përpara.“Të flasim për rëndësinë e 100 vjetëve është të flasim për gjakun që ka shkuar rrëke, gjatë këtyre 100 vjetëve. Asnjëherë nuk patëm paqe. Asnjëherë nuk patëm zhvillim normal, por ose na shkelen të tjerët, ose ata që i sollën të tjerët nëpër pushtete, instaluan diktatura të ndryshme, prapë derdhej një gjak i qetë dhe prapë vonoheshim. Sot jemi në një situatë më të volitshme. Sot Shqipëria jonë, ajo pjesa e lirë e jona është anëtare e NATO-s. Sot Kosova me të gjitha problemet e shumta që i ka, është ngrit në këmbë të veta. Po mundohen të na shtyjnë andej këtej, por megjithatë nuk po na rrëzojnë. Do të qëndrojmë, do të veprojmë duke kujtuar gabimet tona, duke parë gabimet e të tjerëve dhe duke mësuar nga e kaluara”, ka thënë ai.Ndërsa akademik Rexhep Qosja, i cili foli për figurën e Ismail Qemajlit dhe rolin e tij për lirinë e Shqipërisë, ka thënë se historia e Shqipërisë, është e lidhur me emrin e Ismail Qemajlit, i cili hyn në radhën e personaliteteve që ka ndryshuar historinë politike të Ballkanit.“Emri i Ismail Qemajlit, në historinë e popullit shqiptar, mbetet përgjithmonë i shënuar, si shtetari që themeloi Shqipërinë shtetërore me kufij që ajo ka sot, si profeti i madh i Shqipërisë etnike, çfarë do të jetë ajo nesër pa dyshim. Si demokrati liberal që filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si njeriu që dhuntinë e tij politike, e përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme dhe më të vlefshme të popullit të vet. Mbetet i shënuar si personalitet, që ka kryer misionin prijës në historinë e popullit shqiptar”, ka thënë ai.