Çeku:Kosova s’do struktura të paligjshme
Autoritetet kosovare i bënë thirrje Beogradi të shpërbëjë strukturat paralele në pjesën veriore të Kosovës, duke i quajtur të papranueshme dhe të paligjshme ato.Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se struktura të tilla nuk i nevojiten vendit, pasi Kosova ka mekanizmat e saj të sigurisë.“Beogradi I cili I drejton këto struktura, duhet të ballafaqohet me to dhe t’i tërheq sa më shpejtë nga Kosova. Në qoftë se i duhen Beogradit, le t’i marrë atje. Kosova i ka institucionet e veta legale e legjitime-e ka Policinë e Kosovës, i ka Forcat e Sigurisë dhe asnjë organizim tjetër, asnjë forcë tjetër nuk i nevojitet dhe është plotësisht ilegale dhe e papranueshme”, tha Çeku.Komenti i tij pason incidentet e fundit dhe shpërfaqjen e grupeve të caktuara të sigurisë në veri të Mitrovicës.Kohë më parë, në atë pjesë të vendit ishin parë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa gjatë fundjavës së kaluar pjesëtarët e organizatës serbe “Mbrojtja civile e Mitrovicës”, kishin mbajtur një ushtrim publik.Në misionin e NATO-s në Kosovë thanë se të vetmet struktura, të cilave u lejohet të mbajnë armë janë (përveç pjesëtarëve të KFOR-it), Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.