VV: Eliminim politik i Fatmir Limajt
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës për masën e paraburgimit të deputetit Fatmir Limaj dhe tre të tjerëve të rastit Kleçka. Sipas Vetëvendosjes “pas dështimit fillimisht të rastit Kleçka, ai u riaktualizua përsëri, tash për hesape politike”.“Pse pikërisht tani dhe pse masa e paraburgimit? Fatmir Limaj deri më tash gjithmonë i është përgjigjur thirrjeve të gjykatave vullnetarisht, qoftë gjykatës në Hagë, qoftë gjykatave vendore. Ai edhe këtë herë u kthye nga Shqipëria për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, atëherë përse masa e paraburgimit?”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendsojes.Sipas VV-së, gjykimi ndaj Fatmir Limajt është gjyqësi selektive, pasi duan ta paraqesin Limajn si shumë të korruptuar dhe Thaçin si aspak të korruptuar.“Atij iu ngrit aktakuza edhe për keqpërdorim dhe korrupsion në Ministrinë e Transportit, por ai rast akoma nuk ka filluar të procedohet, përkundër që bastisja dhe hetimet kanë filluar qysh dy vite më parë. Derisa rasti i MTK-së po zvarritet me vite, ai i Kleçkës po procedohet me urgjencë. Sepse Fatmir Limajn po duan ta gjykojnë si luftëtar të UÇK-së e jo si ministër. Duan ta njollosin luftën e popullit për çlirim e jo punën e qeverisë”, shprehen Vetëvendosje.Sipas VV-së vendimi për rihapjen e rastit Kleçka është vendim për eliminimin politik të Fatmir Limajt. “Ai u mor pasi Fatmir Limaj filloi të kërkonte demokraci brenda subjektit të tij PDK-së. Tani kur po bëhen zgjedhjet në subjektin e tij, Fatmir Limaj paraqitet pengesë në planin për uzurpimin total të PDK-së nga SHIK-u. Si duket nuk mund të lejohet që Fatmir Limaj të kontestonte pozicionimin e Kadri Veselit në parti. Eulex-i po i lufton kundërshtarët e brendshëm politikë të Hashim Thaçit”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.