Kukan: Zgjedhjet e lira dhe demokratike, sinjal për të ardhmen e Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot një delegacion nga Parlamenti Evropian, të udhëhequr nga Eduard Kukan.Në fjalën e tij, Thaçi theksoi se Kosova tashmë ka filluar edhe zyrtarisht negociatat me Komisionin Evropian për marrëveshjen e stabilizim-asociimit të cilat do të përmbyllen sipas dinamikës së paraparë.Thaçi e njoftoi delegacionin e Parlamentit Evropian për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, të cilat zhvillohen për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë.Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Arritja e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, nga dy bashkëbiseduesit u cilësua marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe me ndikim edhe forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore, kryesuesi i këtij delegacioni, Eduard Kukan, vlerësoi të arriturat e shtetit të Kosovës në periudhën e pas pavarësisë.Në të njëjtën kohë, Kukan theksoi rëndësinë e adresimit të plotë të të gjitha sfidave në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shtoi se zhvillimi me sukses i zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 3 nëntor do të jetë një sinjal shumë i rëndësishëm për suksesin e mëtejmë të shtetit të Kosovës.