Jahjaga, Gauck: Gjermania gjithmonë përkrah Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitës së saj në Gjermani, me nderime të larta ushtarake është pritur në takim nga Presidenti gjerman, Joachim Gauck.Në takimin shumë miqësor dhe shumë të përzemërt, Jahjaga dhe Gauck biseduan për çështje të interesit të përbashkët, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, procesin e integrimeve evropiane për Kosovën dhe rajonin e Evropës Juglindore, si dhe për zhvillimet demokratike në vend.Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, duke i uruar mirëseardhje Presidentes Jahjaga, i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira.Ai tha se Gjermania ka qëndruar përkrah Kosovës në të gjitha periudhat dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në proceset e demokratizimit të vendit dhe në rrugën evropiane të Kosovës.“Perspektiva evropiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Evropës Juglindore është e qartë”, ka thënë Gauck, duke vlerësuar se është e nevojshme përmbushja e standardeve dhe kritereve të përcaktuara.Presidenti gjerman u interesua veç të tjerash edhe për zhvillimet e tjera politike në Kosovë dhe në veçanti për procesin e zhvillimit ekonomik si dhe mundësinë e investimeve të huaja në vend.Ndërsa, Jahjaga theksoi se Gjermania vazhdon ta ndihmojë Kosovën në perspektivën evropiane të saj dhe nënvizoi rëndësinë e përkrahjes në procesin e demokratizimit të Kosovës, duke thënë se Kosova nuk do një shkurtim të rrugës evropiane, sepse ka nevojë për reforma të thella që do të jenë në shërbim dhe në dobi të vet qytetarëve të Kosovës.“Kosova sot ka nevojë për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, sepse ka mbetur vendi i vetëm në rajon që nuk është përfshirë në këtë proces”, ka thënë Jahjaga, duke theksuar se “kjo çështje mbetet shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës”.“Institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkushtuara që t’i përmbushin të gjitha kriteret”, tha më tej Presidentja Jahjaga, duke kërkuar përkrahjen e Gjermanisë për të përmbyllur me sukses këtë çështje.Duke folur për normalizimin e stabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, ajo e vlerësoi dialogun me Serbinë si mënyrën e vetme për të avancuar agjendën evropiane të të dyja vendeve dhe për të pambyllur një kapitull të rëndë të historisë. Jahjaga theksoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut në Bruksel, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja, të cilat duhet të zbatohen në tërësi.Ajo tha se të dyja vendet duhet të monitorohen për zbatim të suksesshëm të marrëveshjes, sepse përmbyllja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, edhe në rrafshin politik, është garanci e vetme se Evropa Juglindore do të jetojë në paqe dhe në përqafim të vlerave evropiane.“Ky proces i dialogut - pasi të janë shterur të gjitha çështjet mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një traktati me peshë ligjore – që do të ishte edhe baza mbi të cilën të dyja vendet do të merrnin përgjegjësitë për anëtarësim individual në BE”, ka thënë Jahjaga.Ajo theksoi se anëtarësimi në BE është tejet i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës dhe është e vetmja rrugë e rajonit dhe është agjenda e vetme që bashkon të gjithë pa dallim.Presidentja theksoi se vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit në gjithë territorin e Kosovës, në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj, është me rëndësi të posaçme, sepse do të ndihmonte avancimin e proceseve demokratike në vend. Ajo tha se është i domosdoshëm integrimi i komunitetit serb në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës që ata të gëzojnë benefitet që ua garanton Kushtetuta e Kosovës dhe t’i bartin përgjegjësitë si çdo qytetar i Kosovës.Presidentja e Kosovës theksoi se një test i gatishmërisë së Kosovës dhe Serbisë për të ecur rrugës së normalizimit të marrëdhënieve, janë zgjedhjet komunale që do të mbahen në Kosovë me 3 nëntor, që njëherësh janë zgjedhjet e para që organizohen në tërë territorin e Kosovës njëkohësisht.“Institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të dalin masovikisht në këto zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë dhe për t’u bërë pjesë e integruar e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës”, citohet të ketë thënë Jahjaga.