Samaras, takim me Merkel dhe Rajoy

Kryeministri grek Samaras, ka zhvilluar takime kokë më kokë në Bruksel me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy, në kuadër të forumit të Partisë Popullore Europiane (PPE).Sipas burimeve diplomatike, gjatë takimit me kancelaren gjermane, biseda u përqëndrua në situatën e ekonomisë greke. Samaras theksoi argumentet, të cilat, sipas të njëjtave burime, përforcojnë qëndrimet e palës greke.Ndërkaq, gjatë takimit të Partisë Popullore Europiane, kryetari i grupit parlamentar, Joseph Daul kërkoi nga kryeministri grek që të informojë homologët e vet mbi çështjen e Agimit të Artë.Ndërkohë kryeministri grek, Antonis Samaras duke hyrë në samitin e BE, në Bruksel theksoi se një çështje e rëndësishme që duhet të diskutohet është problemi i emigracionit klandestin.“Jemi këtu që të flasim për ekonominë digitale, unifikimin bankar, për zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës dhe kryesisht punësimin e të rinjve. Mirëpo jemi këtu edhe që të gjejmë zgjidhje në një problem gërryes dhe të zgjatur në kohë, me të cilin ndeshen kryesisht vendet e Jugut të Europës dhe që është emigracioni klandestin. Janë vënë shumë synime dhe avancojmë” theksoi ai.