Rreziku nga përmbytjet, Hidrovori në Lezhë nuk jep asnjë siguri
Nuk ka asnjë garanci se fusha e Bregut të Madës në Lezhë, nuk do të përballet me përmbytje gjatë stinës së dimrit. Investimi në hidrovorin e Talës, i cili evadon ujrat nga këto toka nuk ka përfunduar ende. 1 vit pas skadimit të afatit për mbylljen e punimeve dhe shtimin e kapacitetit thithës të pompave, nuk ka asnjë garanci se ky hidvrovor do të jetë gati gjatë stinës së rreshjeve.Kjo situatë nuk ka përbërë shqetësim për autoritetet përgjegjëse, ndërsa banorët e këtyre zonave duhet të pregatiten për të përballuar vërshimin e ujrave nga kanalet kulluese dhe përrenjtë malor që vërshojnë drejt fushës së Bregut të Mades. Komunat Shënkoll, Zejmen dhe Fushë Kuqe, do të jenë më të prekurat nga mos funksionimi i plotë e hidrovorit të Tales, pasi edhe gjatë dimrit të shkuar, këto zona u përballën me përmbytje. Kjo për shkak se pompat ekzistuese të këtij hidrovori nuk përballuan prurjet e shumta të kanaleve kulluese.Krahas mungesës së pompave të reja, të cilat ende mungojnë në hidrovorin e Tales, gjatë investimit u hoqën edhe dy nga pompat ekzistuese, duke krijuar jo pak probleme. Ndërhyrja emergjente gjatë dimrit që shkoi, për rivendosjen e një tjetër pompe ndihmëse në këtë hidrovor, nuk i dha zgjidhje përfundimtare problemit, pasi i tillë konsiderohet vetëm përfundimi i investimit. Janë akorduar mbi 2 milion euro për ti dhënë zgjidhje përmbytjeve në fushat e Shënkollit, Zejmenit e Fushë Kuqes, por që sërish me shumë gjasa edhe këtë dimër kjo s`do të ndodhë. Hidrovori nuk ka përfunduar ende.