Ministrja Gjosha takon ambasadorin malazez
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim Ambasadorin e Malit të Zi në Tiranë, Ferhat Dinosha.Dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë mes dy vendeve dhe shprehën dëshirën për bashkëpunim të mëtejshëm.Ambasadori Dinosha theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të intensifikojnë akoma më shumë marrëdhëniet ekonomike. Ai e njohu Ministren Gjosha me progresin që Mali i Zi ka bërë përgjatë procesit të integrimit. Duke u ndalur tek prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi, ambasadori Dinosha theksoi rëndësinë e vecantë për një fqinjësi të mirë dhe respektimin e pakicës malazeze në Shqipëri.Ministrja Gjosha e falënderoi Ambasadorin për vizitën dhe shprehu gadishmërinë për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve për përshpejtimin e procesit të integrimit përmes të cilit po kalojnë dy vendet tona. Duke u nisur nga fakti që Mali i Zi e ka marrë tashmë statusin e vendit kandidat për në BE, znj. Gjosha i kërkoi ambasadorit që të organizohen vizita për shkëmbimin e eksperiencës në këtë fushë.