Rrethi i ri i dialogut Prishtinë-Beograd, Thaçi: Për zgjedhjet vendoset në KQZ

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shfaqur shpresën se në bisedimet e së dielës me homologun serb, Ivica Daçiç, do të arrihet marrëveshja për telekomin dhe energjinë.Duke iu drejtuar gazetarëve, para takimit në Bruksel, Thaçi nuk ka pranuar të flasë për çështjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke thënë se për to vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë.

"Sa u përket zgjedhjeve vendoset në Komisionin Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe jo në Bruksel dhe gjithçka do të jetë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe sipas marrëveshjes së 19 prillit", ka thënë Thaçi.

Ndryshe nga ai është shprehur Maja Kocijançiç, e cila është zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.“Palët do të bisedojnë për vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së Prillit. Në fokus të veçantë do të jenë zgjedhjet, përgatitjet për zgjedhjet në nëntor. Është e rëndësishme që këto zgjedhje të përgatiten mirë, që të shkojë gjithçka siç duhet”, ka deklaruar Kocijançiç para gazetarëve.Ajo ka thënë se nga dialogu nuk mund të përjashtohen edhe temat e tjera, duke përmendur telekomunikacionin dhe energjinë.Kocijançiq ka kujtuar po ashtu pritjet e ndërmjetësueses Ashton që të dyja palët, në javët dhe muajt e ardhshëm. të zgjidhin çështjet e hapura me pjekuri dhe me konstruktivitet.Rrethi i sotëm i bisedimeve ka nisur me takimin e zonjës Ashton me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, për t’u pasuar nga një takim i ngjashëm i baroneshës me kryeministrin Thaçi dhe delegacionin e tij.Bashkimi Evropian ka njoftuar se në ekipin serb po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.Burime brenda BE-së thonë se bisedimet e sotme trepalëshe mund te zgjasin deri në orët e vona.Këtë javë, ndërmjetësuesja Ashton ka mirëpritur “përparimin e Prishtinës dhe të Beogradit në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit”.Ajo ka thënë se këto zgjedhje do të jenë pikë kthese për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.Me kërkesë të Beogradit zyrtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka hequr nga fletëvotimet shenjat e shtetësisë, duke lënë në to vetëm logon e KQZ-së. Ky ka qenë kushti i zyrtarëve në Serbi për t’iu bërë thirrje bashkëkombasve të tyre në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet që organizon Prishtina.Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në gjithë territorin e Republikës dhe kanë për qëllimin integrimin e serbëve të veriut në institucionet shtetërore. Thaçi dhe Daçiç takohen për të 16-n herë.