Josipovic: Mbështesim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kroacia mbështet dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar sot në Prishtinë, presidenti kroat Ivo Josipovic gjatë një konference të përbashkët me presidenten Atifete Jahjaga.Josipovic ka folur edhe për marrëdhëniet e mira që kanë Kroacia dhe Kosova, duke falënderuar shumë shqiptarët e Kosovës që kontribuuan si për pavarësinë e këtij vendi.Ndërkohë, presidentja Jahjaga e ka përgëzuar edhe njëherë presidentin Josipovic për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian. Në këtë aspekt, Jahjaga ka kërkuar mbështetjen e Zagrebit zyrtar në çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat dhe konferencat rajonale.Presidentja ka premtuar se Kosova do t’i njohë komunitetit kroat statusin e pakicës kombëtare dhe njëherësh do t’i sigurojë këtij komuniteti përfaqësim në institucionet e larta siç është Kuvendi.Pas takimit me presidenten Jahjaga, Josipovic është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe do të realizojë një vizitë në qytezën e Janjevës ku jeton një numër i pjesëtarëve të komunitetit kroat në Kosovë.Thaçi theksoi se Kroacia është shembull i mirë, që duhet ndjekur nga Republika e Kosovës për arritjen e objektivave në rrugën e integrimeve evropiane. Ndërsa, Josipovic theksoi se Kroacia do të vazhdojë ta ndihmojë shtetin e Kosovës në procesin e konsolidimit të mëtejshëm, posaçërisht në rrugën e integrimeve evropiane.