Beteja për Prishtinën, Çeku i PDK përballë Mustafës së LDK
Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish kryeministri dhe tani ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku sot zyrtarisht është kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës nga PDK.Në një konferencë për mediat, kryeministri Thaçi ka thënë se pas konsultimit me disa personalitete të Prishtinës dhe shoqërisë civile ka vendosur që ta kandidojë Çekun për kryetar të kryeqytetit.“Pas një konsultimi të gjerë me personalitete të ndryshme, të kategorive të ndryshme të shoqërisë, me simpatizantë të degës së PDK-së në Prishtinë, për një Prishtinë të re, për një Prishtinë të zhvilluar, kemi vendosur që për kandidat për kryetar ta emërojmë ish kryeministrin, tani ministrin Agim Çeku”, ka thënë kryeministri Thaçi.Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku tha se është i nderuar dhe i respektuar, por në të njëjtën kohë edhe i ngarkuar me një detyrë të vështirë dhe të rëndësishme.
“Së pari i falënderojë degët e PDK-së për Prishtinën që me kanë besuar dhe unë do të bëj gjithçka të jetë e mundur që të përmirësojë jetën e qytetarëve të Prishtinës. Unë do të punojë për një Prishtinë evropiane që qytetarët e saj të jetojnë si europianë”, ka thënë Çeku.Ish Kryeministri u shpreh se nuk hyn në garë për të mundur askënd, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve.“Unë krenohem me Prishtinën. E dua një Prishtinë evropiane dhe për këtë e kam pranuar kandidimin. Kështu që ne mendojmë që ta bëjmë një Prishtinë evropiane dhe të kemi një kryeqytet evropiane”, tha Çeku.Nga ana tjetër kryetari i degës së PDK-së për Prishtinën Lirak Çelaj ka thënë se degët e Prishtinës dhe ai personalisht do të mbështesin Çekun për kryetar të Prishtinës.