Limaj lirohet nga arresti shtëpiak, më 17 shtator vendimi për rastin "Kleçka"
Gjykata e krimeve në Kosovë sot liroi nga arresti shtëpiak Fatmir Limaj, deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e UÇK-së të njohur si Çeliku, i cili akuzohet për krime lufte për rastin e njohur "Kleçka".Vendimi për lirimin e tij nga arresti shtëpiak u mor në seancën e sotme, ndërsa vendimi final për procesin gjyqësor ndaj Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij do të shpallet me 17 shtator të këtij viti.Tomë Gashi, avokat i Fatmir Limajt, ka konfirmuar për Kosovapress se kryetari i trupit gjykues Malkolm Simons i ka njoftuar sot se do të donte të shpall aktgjykimin për rastin “Kleçka”, me 17 shtator 2013 dhe në atë ditë do të kenë vendimin përfundimtar në rigjykimin maratonik për Limajn dhe të tjerët.“Nesër prokurori Salustro paraqet fjalën përfundimtare, pas tij këtë do ta bëjë mbrojtja e Limajt dhe pastaj me 10 dhe 11shtator pasojnë fjalët përfundimtare të avokatëve të tjerë dhe përfundimisht do të kemi verdiktin definitiv me 17 shtator 2013. Mbrojtja e Limajt është e bindur se mund të kemi vetëm aktgjykim lirues për Fatmir Limajn dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, ngase më asgjë nuk është vërtetuar e kundërta e lirimit të Limajt dhe të tjerëve në maj të vitit 2012. Ne kemi pasur një rigjykim epilogu i të cilit në bazë të ligjit dhe drejtësisë është ditur nga dita e parë”, ka thënë Gashi.Ndërsa, dje është mbajtur seanca e rastit “Kleçka”, ku është mbyllur procedimi i provave të reja, duke i konsideruar të lexuara raportet e ekspertëve ndërkombëtarë rreth gjendjes psikike të dëshmitarit Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”.