Kapelo : Juventusi nuk ka rival në Itali
Fabio Kapelo mendon se Juventusi aktualisht nuk ka rivalë në luftën për titullin kampion në Itali dhe se e ka të lehët në një periudhë ku nuk ka ekipe të forta që i vihen kundër."Më parë ekzistonin Lacio e Kranjotit dhe Parma e Tanzit, pa harruar Milan e Inter. Por sot, në Itali, Juventusi mund të bëjë atë që i do qejfi. Mbrojtja me tre lojtarë që ka kthyer kjo skuadër është gjëja më e keqe e futbollit, na ka kthyer 20 vite prapa, pasi në të vërtetë është mbrojtje me 5 lojtarë", shpjegoi ai, duke komentuar më pas ndeshjen që bardhezinjtë kanë sot kundër Çelsit."Juventusi duhet të luajë me inteligjencë, pasi tre mesfushorët e Çelsit janë shumë të rrezikshëm. Mendoj se do të jetë një ndeshje me një interpretim taktik të veçantë. Torres? Nëse do të ishte në ditë të mirë do të ishte shqetësim. Nuk e di se çfarë i ka ndodhur, por pas Liverpulit ka humbur shpejtësinë që kishte".Kapeli, trajneri aktual i Rusisë, nuk kursen kritikat ndaj futbollit italian në përgjithësi. "Kemi shumë mëkate për të larë, duke filluar nga ultrasit, të cilëve u lejojmë gjithçka, për të vazhduar me gjyqtarët që janë më të vështirët pasi vërshëllejnë më shumë se në të gjithë Evropën. Pastaj janë polemikat e vazhdueshme që mërzitin njerëzit dhe i largojnë nga futbolli. E fundit, po jo më pak e rëndësishme, janë stadiumet e vjetra, me probleme sigurie. Nuk kuptoj pse flamujt dhe fishekzjarrët lejohen ende në impiante", tha ai.