Fyle përshëndet Shkupin për konsensusin e arritur për incidentin e 24-Dhjetorit

Eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle përshëndeti arritjen e koncensusit politik në Shkup lidhur me miratimin e raportit për 24 dhjetorin."Përshëndes mbylljen me sukses të punës së Komisionit për hetimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit me miratimin e raportit final, përmes koncensusit dhe përkrahjen e të gjithë anëtarëve të komisionit", thuhet në deklaratën me shkrim të eurokomisionerit Fyle, i cili ishte ndërmjetësues mes pozitës dhe opozitës maqedonas për zbardhjen e këtyre ngjarjeve.Sipas tij, kjo tregon se mund të arrihen vendime konstruktive përmes vullnetit politik, dialogut dhe kompromisit. "Me padurim pres që të zbatohen hapat e mëtejshëm dhe implementimi i rekomandimeve që janë pjesë e raportit, por edhe pjesët tjera të marrëveshjes politike të 1 marsit", theksoi eurokomisioneri Fyle, duke shtuar se ky vendim do të reflektohet edhe në raportin e radhës të Komisionit Europian për përparimin e IRJM-së.Partitë më të mëdha politike VMRO-DPMNE në pushtet dhe LSDM opozitare firmosën të hënën raportin final për ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Parlamentin e Maqedonisë, kur deputetët e opozitës dhe gazetarët u nxorrën dhunshëm nga shërbimet e sigurimit të institucionit legjislativ, dhe më pas maxhoranca miratoi projekt - buxhetin për 2013.Kjo ngjarje ishte alarmuar si çështje problematike nga ana e Komisionit Europian dhe ishte në shënjestër të kritikave, pasi që opozita ka shprehur shqetësime për shkeljen e demokracisë dhe ushtrimin e dhunës ndaj të zgjedhurve të popullit.Miratimi i raportit vjen pas disa debateve të ashpra midis partive politike, dhe pas paralajmërimit të kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE se në rast se nuk do të miratohej raporti për 24 dhjetorin, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.Por, opozita maqedonase hodhi poshtë propozimin për zgjedhjet e parakohshme, ndërsa sot edhe kryeministri hoqi dorë nga zgjedhjet, duke paralajmëruar se do të votonin raportin sipas kërkesave të opozitës, vetëm e vetëm duke pasur në rend të parë interesat shtetërore dhe procesin e integrimit euroatlantik.