Konflikti politik, Maqedonia drejt zgjedhjeve të parakohshme

Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas krizës së thelluar politike midis partive më të mëdha.Problemet janë thelluar lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Parlamentin e vendit, ku partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM përmes negociatave maratonike nuk arritën që të miratojnë një raport të përbashkët me konkluzat për zbardhjen e këtij 24 dhjetori, që ishte edhe një kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian dhe që do të përfshihet në raportin e progresit të tetorit të Komisionit Evropian, si pjesë e dialogut politik.Pas dështimit të negociatave dhe mungesës së zgjidhjes për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE dje doli me propozimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 13 tetor. Këto zgjedhje sipas tij, do të duhej të mbaheshin para 16 tetorit, kur duhet të publikohet raporti i KE-së për Maqedoninë dhe përmes së cilit vendi do të ballafaqohet me mundësinë e marrjes së rekomandimit si vend kandidat për anëtarësim në BE.Gruevski ka thënë se deri të hënën ose duhet të miratohet raporti për 24 dhjetorin, ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe të hënën të shpërndahet Parlamenti.Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) si parti më e madhe opozitare sot pritet të shprehë qëndrimin lidhur me propozimin e Gruevskit. Kjo parti dje para fjalimit të Gruevskit për zgjedhjet, theksoi se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve siç i quajti kriminale që do të organizoheshin nga pushteti aktual, pa ndryshuar Kodin zgjedhor dhe pa pastruar listat e votuesve.Edhe BDI sot u deklarua kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si një propozim që ka ardhur nga partneri i koalicionit qeverisës VMRO-DPMNE.Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani sot ka shprehur qëndrimin partiak kundër propozimit të Gruevskit për zgjedhje të parakohshme më 13 tetor, duke nënvizuar se pushteti duhet të koncentrohet në çështjet më të rëndësishme për vendin, siç është zgjidhja e kontestit të emrit, kriteret e Kopenhagës dhe perspektiva evroatlantike e Maqedonisë.“Nëse VMRO-DPMNE dhe LSDM dakordohen për zgjedhje, atëherë nuk do të kemi zgjedhje tjetër dhe BDI do të pranojë këtë. Por, zgjedhjet nuk do ti zgjidhin problemet e qytetarëve. Dyja partitë duhet të bëjnë përpjekje plotësuese për të ardhur tek koncensusi për raportin e 24 dhjetorit”, theksoi zëdhënësi Osmani.Ai ka shtuar se partia e tyre BDI është ofruar si lehtësuese në negociatat midis pushtetit dhe opozitës për ngjarjet e 24 dhjetorit, por ky propozim nuk është përkrahur as nga VMRO-DPMNE, por edhe nga opozita maqedonase.Nga ana tjetër, një qëndrim politik pritet të vjen edhe nga partia më e madhe opozitare shqiptare PDSH.