Simbolet e Kosovës në fletëvotim, çështja do të diskutohet në takimin Thaçi-Daçiç
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk pritet të marrë vendim për praninë apo jo të simboleve të shtetit në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, para takimit të radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në nivel kryeministrash që do të mbahet më 27 gusht në Bruksel.Burime të besueshme brenda KQZ-së kanë thënë për mediat kosovare se vendimi për fletëvotimet nuk mund të merret në këtë fazë për dy arsye.E para, pasi që pamja e fletëvotimeve tashmë po bëhet temë që po ndërlidhet me dialogun, kështu që duhet pritur edhe takimin e 27 gushtit midis kryeministrave Thaçi e Daçiç. Kurse arsyeja e dytë, sipas të njëjtave burime, është se KQZ-ja aktualisht duket si një organ i pakompletuar pasi që përfaqësuesi i AKR-së dhe ai i Vetëvendosjes mund të jenë shkarkuar me vendim të presidentes Atifete Jahjaga.Në qeverinë e Kosovës thonë se çështja e logos është ngritur si temë mediale nga Beogradi, pasi që një temë e tillë nuk është diskutuar asnjëherë në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel.