"Grupi i Drenicës" edhe dy muaj burg, avokati i Selimit: Të shokuar nga vendimi

Vazhdon edhe për dy muaj paraburgimi për ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Sulejman Selimi, dhe anëtarët e tjerë të grupit të Drenicës të cilët akuzohen për krime lufte.Gjyqtari i proçedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, sipas kërkesës së prokurorit të EULEX-it, Maurizo Salustro, ka vazhduar masën e paraburgimit ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sulejman Selimit dhe gjashtë bashkëluftëtarëve të tij përkatësisht deri më 23-Tetor 2013.Gjyqtari i ka aprovuar pretendimet e prokurorit  Salustro që sipas tij ekziston rreziku i ikjes dhe i ndikimit në prova dhe dëshmitarë, tha avokati i Selimit, Tomë Gashi."Unë si avokat i Sylejman Selimit, por edhe të gjithë avokatët e tjerë, do të paraqesim ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit në Prishtine", tha avokati.Mbrojtja e Selimit dhe e të tjerëve e konsideron shokues e të padrejtë dhe pa asnjë bazë juridike këtë vendim sikur edhe vendimin e datës 31-Maj për paraburgosjen e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri  dhe bashkëluftëtarëve të tij 14 vjet pas përfundimit të luftës edhe pse të gjithë me ftesë i janë lajmëruar prokurorit.Edhe avokati i Hisni Zeqirit, Artan Qerkini e ka vlerësuar këtë vendim të padrejtë dhe pa bazë ligjore, duke konsideruar se nuk ka fakte që ata mund të largohen nga vendi.