AI: UNMIK dështoi, nuk hetoi vrasjet e serbëve

Amnesty International vlerëson se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka dështuar të hetojë fatin e civilëve, kryesisht serbë, të cilët vazhdojnë të mbesin të zhdukur që nga lufta e vitit 1999.“UNMIK-u u dërgua në Kosovë për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Mirëpo, si në rastet e serbëve të Kosovës ashtu edhe në rastet e personave të zhdukur shqiptarë, ne gjejmë shembuj shumë të ngjashëm. Njerëzit zakonisht i kanë raportuar të afërmit e zhdukur së pari te KFOR-i dhe pastaj ky informacion i kaluar Kryqit të Kuq, të cilët kanë filluar kërkimet dhe në secilin prej rasteve që ne kemi shqyrtuar me hollësi, këto raporte janë bërë para nëntorit 1999, kur UNMIK-u sapo kishte filluar ngritjen e forcës policore dhe një njësi që merrej posaçërisht me çështjen e personave të zhdukur e pastaj ngritën një njësi për krimet e rënda. Pra, ne mendojmë se këto nuk ishin hetime kompetente. Ne kemi bërë trysni pas trysnie që UNMIK-u t'i zgjidhte këto raste. Kur ata e ndalën punë në vitin 2008, përgjegjësitë i kaluan EULEX-it dhe në fakt nga EULEX-i ne kemi informacione se është bërë përparim lidhur me këto raste.Ne kërkojmë që EULEX-i t'i vazhdojë hetimet. Në fakt lidhur me disa raste ne e dimë se ata i kanë shqyrtuar provat. Në një rast ata kanë gjetur se është e pamundur që çështja t'i jepet prokurorisë, sepse kuptohet, tani pas 14 vjetësh provat janë tepër të vështira për t'u gjetur. Por në një rast tjetër ata duket se kanë qenë në gjendje t'ja kalojnë çështjen prokurorisë. Megjithatë, ajo që na shqetëson më shumë është fakti që UNMIK-u nuk e pranon në një farë mënyre përgjegjësinë për hetimin e rasteve të shkeljeve mes viteve 1999 dhe 2000. Komisioni këshillues për të drejtat e njeriut ka rekomanduar që të afërmit e personave të zhdukur të kompensohen në një formë ose një tjetër për këtë dështim të UNMIK-ut” tha ajo.Në raportin e publikuar sot, Sian Jones, ekspert i organizatës në Kosovë, ka thënë se dështimi i UNMIK-ut për të vepruar “ka kontribuar në klimën e mosndëshkimit që mbizotëron në Kosovë”.Në raport, Amnesty International thotë se në UNMIK janë paraqitur rreth 150 ankesa nga të afërmit e të zhdukurve.Edhe pse raporti fokusohet në rrëmbimet e serbëve të Kosovës nga shqiptarët, Amnesty International thekson edhe dështimin për të hetuar rrëmbimet e shqiptarëve nga forcat serbe.