KQZ drejt krizës, Daka: Subjektet politike po tentojnë ta bllokojnë

Me akuza, kundër-akuza, ndërprerje mbledhjesh, shkarkime të anëtarëve dhe me debate të ndryshme, janë karakterizuar takimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.Në kohën kur tashmë kanë nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, ky institucion është duke u përballur me disa probleme që, sipas profesorit Mazllum Baraliu - ish-kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror Zgjedhor - do të sjellë pasoja negative.“Reflektime negative, rrjedhimisht mund të ketë edhe në përgatitjen me suksese efektive dhe ligjore, demokratike, të zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti”, thotë Baraliu.Nga ana tjetër, kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se punët rreth përgatitjeve për zgjedhjet lokale, janë duke shkuar mirë, por, siç shprehet ajo, disa anëtarë të KQZ-së nga subjektet politike po mundohen ta bllokojnë funksionimin e duhur te tij.“Këto janë krijuar nga anëtari i Vetëvendosjes, i cili me sjelljet e tij dhe me arrogancën e vazhduar, që e ka sjellë në KQZ që nga koha kur ka ardhur, po tenton që në një farë mënyre ta bllokojë punën e KQZ-së për qëllimet e veta politike”, deklaron Daka. “Në KQZ nuk kemi në agjendë çështje politike, po kemi çështje teknike dhe çështje të organizimit të zgjedhjeve. Ai, më akuzon mua se nuk jam duke sjellë agjenda politike, por është e kundërta. Politikën në KQZ po e sjell ai”.Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit, derisa kundërshton kritikat nga zonja Daka, thotë se KQZ-ja është futur në një krizë të thellë funksionimi, që nga marrëveshja e arritur më 19 prill, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Ivica Daçiç.Krasniqi thotë se të gjitha konkluzionet e takimeve politike në Bruksel është duke i zbatuar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila, sipas tij, ka marrë edhe vendime pa u diskutuar në mbledhjet e komisionit."Përpjekja jonë e deritashme ka qenë dhe besoj se do të jetë edhe në të ardhmen, që ne ta kthejmë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë brenda KQZ-së”, shprehet Krasniqi, duke bërë të ditur se anëtar i këtij komisioni do të jetë deri më 23 gusht.Ndërkaq, ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thotë se subjektet politike në vazhdimësi bëjnë interferime politike me Komisionin Qendrore të Zgjedhjeve. Nga politizimi Baraliu nuk përjashton as kryesuesen e KQZ-së.“Ka ndikim politik atje. Madje, ka ndikim edhe te vetë kryesuesja e KQZ-së nga subjektet e caktuara ose komponentët e subjekteve të caktuara”, thekson Baraliu.Ndryshe, sipas kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor anëtari i subjektit politikVetëvendosje, Alban Krasniqi, nuk është më anëtar i KQZ-së, kurse për anëtarin tjetër, Fadil Maloku, partia e tij, Aleancës Kosova e Re ka iniciuar proceduarën e shkarkimit, e cila duhet të konfirmohet nga presidentja e vendit.