Vendimi i Beogradit, Hoxhaj: BE të reagojë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka kundërshtuar ashpër vendimin e qeverisë serbe për të themeluar “institucione të përkohshme lokale vetëqeverisëse” në Kosovë.Hoxhaj, me këtë rast, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë qëndrim lidhur me këtë çështje. Në një deklaratë për SETimes, Hoxhaj ka thënë se këta hapa të Beogradit janë të papranueshëm.“Ne ftojmë BE-në, që në përputhje me mandatin që ka (si lehtësuese e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), të marr një qëndrim sa më shpejtë që të jetë e mundur për një vendim të tillë. Trupa të tillë janë të papranueshëm për shtetin e Kosovës dhe ne do ta kundërshtojmë këtë qasje të Serbisë me të gjitha mjetet politike dhe diplomatike. Brukseli duhet të reagojë”, ka thënë Hoxhaj.Ministri Hoxhaj po ashtu ka thënë se vendimi i Serbisë po e dëmton marrëveshjen Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve, të arritur më 19 prill.“Normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane mund të ndodhë kur Serbia do të ndjekë një politikë joarmiqësore karshi shtetit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.