“Shqipëria e Gjeneratës së Re”, sot nis konferenca e PS me arkitektë të huaj

Partia Socialiste nis sot konferencën dyditore me titull "Shqipëria e Gjeneratës së Re", ku marrin pjesë 32 arkitektë, planifikues urbanë, ekonomistë nga e gjithë bota. Konferenca do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm. Synimi është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat madhore me të cilat përballet Shqipëria."Pas dy dite vizitash studimore e diskutimesh, nis sot ne 10.30 konferenca nderkombetare Shqiperia e Gjenerates tjeter"-shkruan Rama ne twitter.Gjatë ditës së djeshme arkitektët dhe urbanistët e ftuar nga PS janë ndalur në disa nga zonat informale si në Paskuqan, Kamëz dhe zonën e ish-kënetës në Durrës. Specialistë të fushës së urbanistikës i kanë njohur miqtë e huaj me historikun e krijimit të këtyre zonave, si dhe problematikat e mprehta që kanë ato në një proces që tashmë ndodhet midis legalizimit dhe urbanizimit të tyre.Ata kanë shkëmbyer mendime me zotin Rama dhe ekspertët që i shoqëronin, për mënyrat se si mundet që këto pika nevralgjike të transformohen rrënjësisht, për t’i kthyer ato në një industri që do të prodhojë punësim dhe të mira materiale.Në një prononcim për mediat pas takimit, kryeministri i ardhshëm Edi Rama, edhe një herë ka shprehur vendosmërinë për goditjen e atyre zhvillimeve që kanë dëmtuar territorin, por gjithashtu hartimin e një plani në funksion të turizimit.“Padyshim që, një nga prioritetet e vitit të parë do të jetë goditja pa asnjë kompromis, ndaj të gjithë atyre zhvillimeve që kanë dëmtuar territorin, duke filluar nga bregdeti, por njëkohësisht edhe nisja e punës intensive për një zhvillim harmonik, të qëndrueshëm, ekonomik, social dhe urban, në funksion të një turizmi, që nuk mund të bazohet më në shifra të sajuara, apo duke u ngushëlluar me prurjet, që vijnë natyrshëm drejt bregut, por që duhet të kthehet në një industri për të prodhuar punësim dhe të mira materiale”, tha ai.