Terapia e shokut dhe bredhi i Krishtlindjes si metafora
Termin “terapia e shokut” e dëgjova për herë të parë në vitin ’91, nga entuziastët e ndryshimit demokratik dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Gjithë sa shprehte, ofrohej si alternativa e modelit ekonomik të centralizuar, përmes sloganesh të përgjithshme, por pa qartësuar lidhjen dialektike të ndryshoreve dhe pasojat gjegjëse. Për t’u dukur më bindës, dikush, që kishte shtënë në dorë një botim të Fridmanit, nuk ia përtonte të citonte me mburrje idetë e tij, sigurisht, ashtu siç i kuptonte vetë. Dhe, për t’i certifikuar komentet, theksonte se kontributi i profesorit ishte vlerësuar me çmimin “Nobel”. Pasojat që solli zbatimi “alla shqiptar” i këtij modeli, tani, njihen mirë nga të gjithë. Ajo që vlen pas kësaj, mendoj se janë mësimet nga pësimi. Mësuam, p.sh., se urgjenca për të fituar në kohë mund të rrezikojë përfitimet afatgjata e të qëndrueshme; se risive u kuptohet vlera, pasi njihen thellë; se, për ndryshimin, është normë që specialistët e fushave të ndryshme të bashkohen dhe të ndërtojnë njohurinë që u duhen, në kontekstin e problemit të pangjashëm me gjithë sa njihnin më parë; se ka rëndësi kritike krijimi i mekanizmave teknikë e ligjorë për menaxhimin e fondeve publike etj.Me këto në mendje, po u qasem ideve për reformat në arsim, shtjelluar nga autorë të ndryshëm, kohët e fundit në shtyp. Po veçoj shkrimet që analisti E. Zaloshnja botoi në web-in “Respublika.al” [http://www.respublica.al/opinion/2013/08/19/33-qindarka-per-te-nxene-67-per-te-ngrene]. Thelbi i shqetësimit të tij, pse fëmijët tanë nuk shkollohen si duhet, identifikohet me mungesën e efikasitetit të skemës së financimit të arsimit publik. Nisur këndej, ai beson se faktori thelbësor i përmirësimit të cilësisë është ndryshimi i saj dhe ofron skemën e “çeqeve të shkollimit”. Thelbi i saj “është eliminimi i ingranazheve të shumta që ekzistojnë midis qeses së shtetit dhe të nxënësve të vegjël që shkollohen në sistemin publik. Kështu, në vend që të kalojë nëpër 100 duar të pakujdesshme (për të mos thënë abuzuese), fondi i caktuar për shkollat publike mund të shkojë drejtpërdrejt te duart e prindërve që kanë fëmijë në ato shkolla. Shpërndarja e fondit mund të bëhet me çeqe ose në çdo formë tjetër që do t’i krijonte mundësinë prindërve të paguanin shkollat më të mira të mundshme me paratë e caktuara për fëmijët e tyre”. Kjo do të mundësonte “zgjedhjen e shkollës nga prindërit dhe rritjen e konkurrencës midis shkollave”. Çka, të plotësuara “me licencimin dhe inspektimin e shkollave nga niveli i mesëm, do të krijojnë presionin e nevojshëm për daljen nga gjendja e mjeruar ku gjendet sot arsimi publik 12-vjeçar në Shqipëri”.Kjo skemë është zbatuar prej më shumë se 20 vjet, në nivel sistemi apo grup shkollash, në vende të ndryshme. Tiparet kyç të saj janë zgjedhja e shkollës nga prindi, varësia e burimeve të financimit nga numri i nxënësve që regjistron shkolla, mundësia e humbjes së nxënësve, deri falimentimi i shkollës etj. Skema është kundërshtuar nga kërkues të ndryshëm, pasi kanë studiuar pasojat në vende ku është përdorur. Kundërshtimet nuk bazohen thjesht në konsideratën teorike, sipas së cilës, kanë efekt të kufizuar instrumentet që tentojnë t’i japin një të mire publike disa tipare të së mirës private, por rezultojnë nga dëshmitë e kërkimit. Konstatimi i përgjithshëm është se skema e “çeqeve të shkollimit” ka dështuar pikërisht në arritjen e objektivave të saj themelorë. J. Ambleri, duke iu referuar skemës në Britani, Francë dhe Holandë, pohoi se “pasoja kryesore negative e zgjedhjes së shkollës është tendenca e saj e natyrshme për të rritur hendekun arsimor mes të privilegjuarve dhe të paprivilegjuarve” [Who Benefits from Educational Choice? Some Evidence from Europe, 1994]. Nga studimi i rasteve të Nju Jorkut, Skocisë, Belgjikës dhe Holandës, H. Levin konkludoi se “zgjedhja e shkollës çoi në një izolim racial dhe socio-ekonomik më të madh të nxënësve” [Educational Vouchers: Effectiveness, Choice and Costs, 1998.] Sipas Gauri & Vadwa, “sistemi i çeqeve të shkollimit në Kili dhe në Zelandën e Re krijoi nxitës të fortë për shkollat për të përzgjedhur nxënësit e përparuar”. Gjithashtu, Fiske & Ladd (2000, 2001), Hsieh & Urquiola (2003), Lankford & Wyckoff (1999), Clotfelter (1999), Ladd & Hanson (1999) dhe Berry, Jacob & Levitt (2000) konstatuan se skema rriti shtresëzimin e shkollave dhe veçimin e nxënësve sipas përkatësisë raciale e pasurore. Së fundmi, Kili. Skema, atje, filloi të zbatohet në nivel kombëtar, në vitin 1980, nga regjimi diktatorial i Pinoçetit në kuadrin e “terapisë së shokut”. Ndërkaq, të dëmtuarit e mëdhenj qenë pikërisht “Lulat e vocërr”, edhe pse skema mëtonte të kundërtën. Nga ana tjetër dhe për më keq, nuk u provua supozimi se “përmirësimi i kurrikulës, i cilësisë së mësimdhënies apo i menaxhimit do të ndodhte vetvetiu, përmes rritjes së konkurrencës së shtuar të shkollave që konkurrojnë mes tyre për nxënës [M. Camoy. “Lessons Of Chile's Voucher Reform Movement”]. Përkundër këtyre përvojave, “studimi PISA ka zbuluar se ndikojnë pozitivisht në cilësinë e sistemeve të arsimit, politikat arsimore të bazuara në idealin e mundësive të barabarta arsimore, që shohin mësuesit në thelbin e ndryshimit arsimor” (OECD, 2007). Prova e prekshme është sistemi finlandez. Nga Finlanda, “vendet, që e gjetën të mbyllur shtegun e konkurrencës, të zgjedhjes së shkollës, të llogaridhënies bazuar në testet dhe të pagës bazuar në rezultat, mësuan se mund të plotësohet ëndrra për një sistem arsimor të mirë dhe të barabartë për të gjithë nxënësit” [P. Salhberg, Finnish Lessons: What Can the World Learn from Educational Change in Finland, 2011]. Grupit të propozimeve të autorëve të ndryshëm, po i shtoj dhe unë një të tillë: financimi t’u lëvrohet shkollave, jo prindërve. Shkollat, në kushtet e konkurrencës, të lejohen të marrin financime, në varësi të numrit të nxënësve që regjistrojnë etj., etj. Ndërkaq, jam i bindur që, edhe ky propozim, nuk do ta ndryshonte cilësinë, për shkak të konteksteve tona (strukturave dhe kulturave ku punohet). Por ai, me siguri, do të cenonte ekuitinë në arsim. Ndaj, mendoj se me propozime të tilla, ne, thjesht dhe vetëm, po zbukurojmë “bredhin e Krishtlindjeve”. Një metaforë kjo e kërkuesve të ndryshimit arsimor, referuar dështimeve që ka prodhuar zbatimi i një morie risish, brenda një kohe të shkurtër. Nuk është e lehtë të gjesh zgjidhjet që funksionojnë, ca më e vështirë t’i zbatosh në një sistem “të zbërthyer brinjësh”, si ky i yni. Sepse strategjitë që kemi përdorur deri tani, nuk u fokusuan në analizën e thelluar të gjendjes dhe njohjen e përvojave. Më së pari, mbi problemet e mësim/nxënies dhe zhvillimin e kulturave bashkëpunuese. Sakaq, mund të mësojmë nga përvojat e vendeve që përparuan këtë dekadë, si Finlanda, Singapori, Koreja e Jugut. Ato ia dolën, pasi u investuan në vijimësi për arsimin e barabartë, rikonceptuan bazat teorike dhe metodologjike të procesit të nxënies, reformuan kurrikulën, përmirësuan kompetencat profesionale të mësuesve/drejtuesve dhe sistemet e llogaridhënies. A nuk mund të jetë ky shtegu që i hap rrugën ndryshimit të dëshiruar?Burimi : gazeta-shqip.com