Greqi, 18-vjeçari humb jetën për një biletë 1.40 euro

Reagime të ashpra dhe pyetje janë ngritur në mediat dhe rrjetet sociale në Greqi për 18-vjeçarin i cili humbi jetën pasi u hodh nga autobuzi pasi kishte hipur pa biletë.Shoqëria greke e shokuar nga vdekja e të 18 vjeçarit ia hedh fajin krizës ekonomike dhe politike në vend.Djaloshi 18 vjecar disa stacione pasi kishte hipur në zonën e Perristerit në Athinë është kapur pa biletë nga kotrollorët të cilët i kanë kërkuar që të zbresë bashkë me ta në stacionin e fundit.  Gjatë përpjekjes që të shpëtojë në mënyrë që të mos paguajë gjobën e cila është 60 herë vlera e biletës, ai ka shtypur butonin e rrezikut, ka hapur derën dhe është hedhur gjatë kohës kur autobuzi ishte në lëvizje. Nga rënia ai ka goditur kokën në trotuar dhe është transferuar urgjentisht në spital, ku edhe ka lënë frymën e fundit.Sipas dëshmive të pasagjerëve të urbanit ai është grindur me kontrollorin. Burime të tjera nga dëshmitarët bëjnë të ditur se ai u është lutur punonjësve të kontrollit që ta lënë të kalojë si rast, pasi nuk kishte 1 euro dhe 40 sent që të blinte një biletë. Kontrollorët nuk kanë pranuar, bile nuk kanë pranuar as edhe që bileta e të riut të paguhej e të jepej nga pasagjerët e tjerë të urbanit.Prokuroria e Athinës ka lënë të lirë shoferin  dhe punonjësin e kontrollit të cilët u arrestuan të mërkurën në mëngjes për vdekjen e 18 vjeçarit. Prokuri publik kërkoi hetime të mëtejshme të ngjarjes për vdekje nga pakujdesia.Ndërkaq qytetarë të ndryshëm të Athinës janë grumbulluar tek vendi ku u vra i riu dhe kanë protestuar në heshtje kundër këtij rasti dhe kanë kërkuar shpjegime nga organet kompetente. Pas incidentit ministria greke e Transporteve njoftoi se të papunët dhe invalidët do të lejohen të udhëtojnë falas me mjetet e transportit urban.Ky rast paraqet edhe një tjetër dimension të krizës së thellë ekonomike që po kalon Greqia për të gjashtin vit radhazi. Mbi 3000 persona kanë vrarë veten, ose kanë tentuar të vetëvriten si pasojë e krizës së rëndë ekonomike e sociale greke.