Zgjedhjet, Vulin: Prishtina “i trembet vendosmërisë së Serbisë”
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se Prishtina është “kundërshtari më i madh” i daljes së serbëve në zgjedhjet lokale të Kosovës.“Prishtina është dëshmuar si kundërshtari më i madh i zgjedhjeve, i integrimit të serbëve dhe i gjithë asaj për të cilën jemi marrë vesh në Bruksel. Nëse Prishtina vazhdon të bëjë gjithçka që serbët të mos dalin në zgjedhje, atëherë duhet të mendojmë masat tona”, ka thënë Vulin për gazetarët në veri të Kosovës.Ai ka thënë se duhet pritur “disa ditë” derisa të qartësohen gjërat dhe për të parë nëse do të “kuptohet mesazhi që dërgojmë”.“Pristina ka ardhur në përfundim se serbët vërtet mund të marrin fatin në duart e tyre dhe ajo i trembet kësaj”, ka thënë Vulin.Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se për Serbinë është e papranueshme që fletët e votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë të kenë simbolet shtetërore të Kosovës.Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, ka thënë se deri më tani nuk është diskutuar se si do të duket logoja në fletët e votimit në zgjedhjet e 3 nëntorit.Ajo po ashtu ka kujtuar se Kosova dhe Serbia, më 19 prill, kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila bazohet në ligjet e Kosovës, përkatësisht “pika 11 e kësaj marrëveshjeje parashikon që zgjedhjet në Kosovë të mbahen sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare”.