Ç’ndodhi me dhomën që mbahej 15 vjet e kyçur?
Emisioni “Stop” trajtoi këtë të martë, më 2 qershor, një rast denoncimi i cili është transmetuar për herë të parë më 18 maj dhe ka të bëjë me denoncimin e qytetares Ferdane Muça.
Ferdane Muça së bashku me bashkëshortin e saj, prej 15 vitesh janë në konflikt me ish-nusen e djalit dhe ish-krushkun për një banesë në Tiranë, që e kanë blerë dhe rindërtuar përpara martesës së djalit në vitin 2004.
Pas divorcit në vitin 2008, ish-nusja kyçi dhomën, ku jetonte me djalin, dhe u largua në Suedi me një tjetër burrë. Por ajo vijon të kërkojë në gjykatë pjesën e shtëpisë.
Çifti i të moshuarve nuk kishin guxuar ta hapnin dhomën nga frika e kërcënimeve të ish-krushkut. Ndërkohë, ky i fundit kishte lënë edhe një pajisje akulloresh në oborr, e cila, kishte bllokuar kanalet e ujit dhe kishte shkaktuar përmbytje në banesë.
Avokatja Eda Grimci tha, se familja Muça ka certifikatë pronësie të vitit 2011 dhe se çështja gjyqësore lidhet vetëm me kërkesën e ish-nuses, për t’u njohur bashkëpronare.
Me iniciativën e emisionit “Stop” dhe meqë nuk kishte urdhër bllokimi, dhoma u hap pas 15 vitesh.
Pas këtij akti, ish-krushku bëri kallëzim në komisariatin nr. 3, por kallëzimi nuk u legjitimua, pasi nuk kishte dokumenta.
Në komisariat zotërisë iu komunikua, që të heqë pajisjen, por ai nuk e bëri, ndaj denoncuesja mori disa punëtorë dhe e nxorri pajisjen jashtë shtëpisë.
“Faleminderit shumë, shumë, 100 herë shumë, se kemi vuajtur 15 vjet me rradhë. Bekimin më të madh kini nga dy pleqtë, se jeni më të mirët.” /tvklan.al

