“Projektet preferenciale po shkatërrojnë natyrën”/ Tare: Përfitojnë një numër i kufizuar personash

Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, në një lidhje direkte ishte studiuesi Auron Tare, i cili foli për situatën e zonave të mbrojtura dhe zhvillimet në bregdetin shqiptar.

Ai u ndal te protestat e fundit dhe debatet për projektet në zona si Zvërneci, Butrinti, Vjosa dhe Rrjolli, duke ngritur shqetësime për mënyrën si janë marrë vendimet.

“Shumë prej këtyre projekteve janë bërë pa diskutim publik, pa përfshirjen e specialistëve dhe pa u marrë parasysh banorët e zonave. Në disa raste, vendimet kanë përfituar një numër shumë të kufizuar personash.”-tha ai.

Sipas tij, zhvillimi në vijën bregdetare nga Llogaraja deri në Butrint nuk ka sjellë përfitime të dukshme për komunitetet lokale, por ka krijuar një përqendrim pasurie në pak duar.

Ai shtoi se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura kanë hapur rrugë për ndërtime në territore që më parë konsideroheshin të paprekshme.

“Ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura ka qenë vendimtar. Me hapjen e hapësirave për ndërtim, shumë prej këtyre zonave janë ekspozuar ndaj projekteve që nuk respektojnë karakterin e tyre natyror.”-u shpreh Tare.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: