“Kompanitë matroshka” në Zvërnec/ Çela: Nuk gjenden realisht as në Amsterdam dhe as në Tiranë, adresat e deklaruara si kuti postare
Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, në një lidhje direkte ishte gazetarja Lindita Çela, e cila solli detaje nga një investigim për lejet e ndërtimit në zonën e Zvërnecit.
Ajo u ndal te një projekt zhvillimor ku, sipas dokumenteve të siguruara, dyshohet për një strukturë kompanish të lidhura mes tyre dhe me pronësi të paqartë, ku përmenden një shtetas rus dhe një shtetas bullgar.
“Kompanitë nuk gjenden realisht as në Amsterdam dhe as në Tiranë. Adresat që janë deklaruar rezultojnë kryesisht kuti postare, ku depozitohen vetëm dokumente, pa praninë e një zyre funksionale apo përfaqësuesish.”-tha ajo.
Sipas investigimit, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” është regjistruar në Shqipëri në gusht të vitit 2024, ndërsa kompania mëmë e saj është krijuar vetëm pak ditë më herët.
Gazetarja tregoi se gjatë verifikimeve në terren nuk është gjetur asnjë zyrë apo përfaqësues i këtyre subjekteve në adresat e deklaruara.
“Gjatë verifikimeve në terren nuk u gjet asnjë përfaqësues i kompanisë. Struktura e krijuar ngjan me një rrjet kompanish të lidhura mes tyre, të cilat përdoren për të menaxhuar të njëjtin projekt.”-u shpreh Lindita Çela.
Në raportim u përmend gjithashtu se pas lejes zhvillimore për zonën ku tashmë ka nisur rrethimi, qëndrojnë të njëjtët dy shtetas të huaj, të cilët rezultojnë të përfshirë edhe në disa kompani të tjera.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË NË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

