Kulla 255 metra te Pallati i Kongreseve: Shpallet fitues projekti i studios zvicerane "Herzog & de Meuron"
Studio zvicerane Herzog & de Meuron Basel Ltd është shpallur fituese në konkursin ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallati i Kongreseve, një projekt që parashikon transformim të thellë të një prej godinave më të njohura të kryeqytetit.
Sipas projektit të prezantuar, ndërhyrja në strukturën ekzistuese do të jetë minimale, me fokus në ruajtjen e identitetit arkitektonik dhe historik të ndërtesës, ndërsa ajo do të përshtatet me funksione dhe standarde bashkëkohore.
Një nga elementët kryesorë të projektit është ndërtimi i një kulle të re 255 metra të lartë, e cila do të lidhet funksionalisht me godinën aktuale, duke krijuar një kompleks të ri urban në zemër të Tiranës.
Kryetarja e jurisë, Mari Randsborg, vlerësoi projektin si një ndërhyrje me potencial të madh për zhvillimin urban të qytetit, por njëkohësisht kërkoi rishikim të disa elementeve, përfshirë lartësinë e kullës dhe integrimin e saj me hapësirat përreth.
Gjatë prezantimit, u theksua gjithashtu nevoja për përmirësimin dhe zgjerimin e hapësirave publike, në mënyrë që projekti të sjellë një balancë mes zhvillimit arkitektonik dhe jetës urbane.
Kryeministri Edi Rama vuri në dukje nevojën për një transformim të thellë të Pallatit të Kongreseve, duke theksuar se godina aktuale ka probleme strukturore dhe funksionale që kërkojnë ndërhyrje.
Ai shtoi se projekti synon ta kthejë kompleksin në një hapësirë moderne, të përshtatur me teknologjinë bashkëkohore dhe me potencial për t’u shndërruar në një destinacion të ri kulturor dhe turistik për Tiranën.

