Siguria rrugore gjatë sezonit turistik 2026, Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje
Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor, me qëllim përmbushjen sa më efektive të parametrave të sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik 2026.
Për të nënshkruar marrëveshjen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit homologun e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.
Marrëveshja, ka në bazë fluksin e lartë të përvitshëm të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova gjatë sezonit veror, si dhe lëvizjen intensive në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.
Gjithashtu, marrëveshja synon të intensifikojë angazhimin e përbashkët të efektivëve të të dyja policive për parandalimin e aksidenteve rrugore, konstatimin e shkeljeve rrugore, menaxhimin e flukseve të lëvizjes, shmangien e trafikut, goditjen e krimeve ndërkufitare dhe rritjen e vigjilencës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Gjithashtu, Hoxha konfirmoi vendosmërinë e Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar edhe më ngushtë në shkëmbimin e inteligjencës kriminale, me qëllim arritjen e rezultateve sa më të mira në luftën kundër krimit të organizuar.
