HAKERIMI I PROKURORËVE TË SPAK/ GJKKO vijon seancat pa gazetarë të pranishëm, zyrtarë të rendit të pandehur

Për herë të parë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që gazetarët të mos jenë të pranishëm në një proces penal që po shqyrtohet në themel.

Vendimi lidhet me çështjen e hakerimit të disa adresave elektronike të prokurorëve të SPAK.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit Bledar Maksuti që seancat të zhvillohen me dyer të mbyllura, pasi dosja përmban të dhëna sensitive dhe një pjesë e hetimeve vijon ende.

Për këtë arsye, procesi do të zhvillohet pa praninë e mediave.

Në këtë çështje janë marrë të pandehur ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, ish-zyrtari i administratës së burgjeve, Zambak Gjoni, si dhe Arnold Rrokaj, ish-punonjës pranë IMT-së. Ata akuzohen për veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, përgjim të paligjshëm dhe hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike.

Sipas hetimeve, Arnold Rrokaj ka siguruar në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të SPAK, të cilat më pas janë shpërndarë te Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili. Materialet dyshohet se janë kaluar më tej edhe te persona të tjerë.

Sulmi kibernetik ndaj SPAK u regjistrua më 12 mars 2025. Hetimet tregojnë se u arrit të merrej informacion nga emailet e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, ndërsa sistemi i brendshëm i teknologjisë së informacionit të SPAK nuk u komprometua.