Masa të forta sigurie për provimet e Maturës 2026!

Vetëm pak ditë para nisjes së provimeve të Maturës Shtetërore 2026, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka prezantuar në një konferencë për mediat masat dhe planin e organizimit për të garantuar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë maturantët.

Provimet, të cilat do të zhvillohen më datat 2, 9, 16 dhe 23 qershor, do të shtrihen në 144 qendra provimi në mbarë vendin. Për mbarëvajtjen e tyre do të angazhohen strukturat kryesore të arsimit parauniversitar, si dhe mbi 170 monitorues direkt nga Ministria e Arsimit.

Gjatë fjalës së saj, Kumbaro vuri theksin te ndryshimet e rregullores së këtij viti, e cila parashikon sanksione më të ashpra jo vetëm për nxënësit, por edhe për të gjithë zinxhirin administrues – nga administratorët e klasave deri te përgjegjësit e kateve.

Në kuadër të masave të sigurisë, ministrja bëri thirrje për respektim rigoroz të rregullave, duke kujtuar ndalimin kategorik të mjeteve teknologjike.

“Celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi,” deklaroi Kumbaro, duke u bërë thirrje nxënësve të mos rrezikojnë vitet e tyre të shkollimit”, u shpreh Kumbaro.

Sipas ministres, procesi i këtij viti ka pasur një shtrirje të gjatë kohore, që ka nisur që në dhjetor të vitit 2025 me miratimin e rregullores së re.

Për herë të parë, maturantët patën mundësi të njiheshin më herët me modelet e provimeve online, si dhe morën pjesë në testime simuluese nëpër qendra, duke u përballur paraprakisht me të njëjtat kushte logjistike dhe të sigurisë që do të aplikohen në provimet zyrtare.