MËNGJESI I LUTJEVE I EUROPËS JUGLINDORE/ Takimi nën moton “Besimi dhe Liria”, mesazh për bashkëpunim

Tirana mirëpriti Mëngjesin e Lutjeve të Europës Juglindore, ku morën pjesë personalitete nga SHBA, Europa dhe Ballkani nën moton “Besimi dhe Liria”. Pjesëmarrësit përcollën mesazhe për demokraci, paqe, solidaritet dhe bashkëpunim mes kombeve.

Tirana mirëpriti personalitete politike dhe fetare nga Shtetet e Bashkuara, Europa dhe rajoni në kuadër të Mëngjesit të Lutjeve të Europës Juglindore, me moton “Faith and Liberty” – Besimi dhe Liria.

Aktiviteti u organizua nga një grup deputetësh të drejtuar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Përmes mesazheve të tyre përshëndetëse, drejtues të lartë të politikës amerikane, mes tyre Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, senatori James Lankford dhe kongresmenët Robert Aderholt e Ben Cline, vlerësuan rëndësinë e besimit dhe lirisë në forcimin e demokracive.

Në takim morën pjesë përfaqësues të lartë politikë nga Europa dhe Ballkani, si dhe figura të njohura të jetës publike amerikane.

Gjatë diskutimeve u theksua se popujt e Europës Juglindore e njohin mirë çmimin e humbjes së lirisë, për shkak të historisë së konflikteve, ndarjeve dhe pasigurisë. Pjesëmarrësit nënvizuan se besimi i jep njeriut forcë për të përballuar sfidat, ndërsa liria dinjitet për të jetuar.

Në një kohë kur bota përballet me luftëra, polarizim dhe krizë besimi, u bë thirrje për më shumë solidaritet, përgjegjësi morale dhe bashkëpunim mes kombeve.

Duke cituar Nënë Terezën, pjesëmarrësit apeluan që Ballkani të ndërtojë të ardhmen mbi vlerat demokratike, paqen dhe lirinë me përgjegjësi.