43,5 milionë lekë shpronësime për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës dhe Bazën Ajrore Farkë

Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i dy projekteve në  infrastrukturë dhe në sektorin e mbrojtjes.

Për projektin “Zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës (Loti 1) – faza I dhe faza II”, shpronësimi i pasurive private bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sipas vendimit, vlera e përgjithshme e shpronësimit arrin në 25 136 045.80 lekë dhe do të përballohet nga buxheti i shtetit. Procedurat përfshijnë kompensimin e pronarëve, pezullimin e transaksioneve mbi pronat e prekura dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Ndërkohë, vendimi tjetër i qeverisë parashikon shpronësimin për projektin “Baza Ajrore Farkë”, me subjekt zhvillues Ministrinë e Mbrojtjes, në Bashkinë Tiranë.

Për këtë projekt, shpronësimi bëhet në favor të Komandës së Forcës Ajrore, me një vlerë totale prej 18 396 117 lekësh, gjithashtu e mbuluar nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas vendimit, procesi i shpronësimit do të kryhet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e pronave dhe hedhjen e gjurmës së projekteve në hartën kadastrale brenda afateve të përcaktuara.