SKANDALI I HELMIMIT TË POLICËVE/ Pse po fshihen analizat e gjellëve që u konsumuan studentët në Akademi?

Një investigim I Ora Neës ngre dyshime mbi përgjegjësinë e AKU-së në skandalin e helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë, pasi kompania “SORI-AL” ishte konstatuar më herët me shkelje, por ishte ndëshkuar vetëm me paralajmërim. Po ashtu, mbeten të paqarta rezultatet e analizave për disa prej ushqimeve të konsumuara ditën e helmimit të policëve të rinj?

Tv Ora News ka kryer nje investigim te thelluar në lidhje me skandalin e helmimit masiv të studentëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk. Nëse studentët nuk e dinin rrezikun që i priste, AKU rezulton se kishte informacion më herët për shkeljet e kompanisë furnizuese.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë një inspektimi të mëparshëm në kompaninë “SORI-AL”, inspektorët e AKU konstatuan se subjekti nuk kryente analizat e detyrueshme periodike të ushqimit. Ligji detyron çdo kompani catering të zbatojë sistemin e vetkontrollit dhe të provojë përmes analizave laboratorike se ushqimi është i sigurt për konsum.

AKU pranon se gjatë inspektimit ka gjetur shkelje në “SORI-AL” pasi kjo kompani nuk kryente analizat e produkteve të gatshme. Ndonëse ligji parashikon gjoba nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë, deri në pezullim aktiviteti, masa e vetme nga AKU ishte një “paralajmërim”.

Si është e mundur që te një kompani që ushqen qindra kursantë policie të konstatohet se nuk kryen analizat e detyrueshme të ushqimit dhe të mos merren masa sipas parashikimeve ligjore?

Me sa duhet për inspektorët e AKU favorizimi i një subjekti privat vlen me shumë se jeta e qindra studentëve.

Edhe pas helmimit masiv, mbeten pikëpyetje serioze. Ora News i kërkoi AKU informacion mbi mostrat e ushqimit të servirur ditën e ngjarjes. Sipas përgjigjes zyrtare, janë analizuar makarona, pilaf, fasule, sallam dhe kos.
Por çfarë ndodhi me gjellën me patate dhe tavën me presh e mish, ushqime që sipas të dhënave, janë konsumuar nga studentët ditën e helmimit? AKU deklaron se mostrat janë marrë nga institucione të tjera, por nuk bën publik as emrat e institucioneve dhe as rezultatet e analizave.

Nëse AKU ka qenë prezente gjatë procedurës, pse fsheh emrat e institucioneve që kanë marrë mostrat? Ku janë kryer analizat dhe cili është rezultati?

Mungesa e transparencës ngre dyshime serioze mbi mënyrën si po trajtohet një nga rastet më të rënda që lidhet me sigurinë ushqimore.

Nga viti 2020 deri në 2026 AKU ka kryer vetëm 8 inspektime te "SORI-AL". Ky është një numër minimal inspektimesh për një subjekt që gatuan në masë për ushtarakë dhe policë. Ndërsa në vitin 2020 dhe 2022 AKU nuk ka kryer asnjë inspektim te kjo kompani.