PD E PS “SQAROHEN” ME “VENECIAN”/Kryedemokrati: Mbështesim plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR
PD dhe PS paraqitën qëndrimet e tyre për reformën zgjedhore para ekspertëve të Komisionit të Venecias të mbërritur në Tiranë si pjesë e një misioni para se të dalin me një opinion për ligjin e financimit të partive politike. Kryedemokrati pas takimi hodhi një propozim suprizë për anulimin e zgjedhjeve në rast të financimeve të paligjshme të provuara. Ndërkohë, socialistët theksuan nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse sipas standardeve europiane
Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi këtë të premte një takim me ekspertë të Komisionit të Venecias, në kuadër të marrjes së qëndrimeve lidhur me ligjin për financimin e partive politike, por edhe vetë kodin zgjedhor. Në përfundim të këtij takimi, Berisha theksoi bisedimet konstruktive dhe mbështetjen e tij për raportin e OSBE-ODIHR për financimet.
Berisha: Plotësisht! Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias.
Por përballë kësaj mbështetje të parë, kryedemokrati bën një hap pas kur vjen puna tek depolitizimi i administratës zgjedhore.
Berisha: Ky problem është i negociueshëm, do negociohet mbasi vetë OSBE/ODIHR ka meritën e veçantë të stigmatizojë jo terroriste, por aty afër, në rrafshin politik, për zgjedhjet patronazhistët.
E përballë dakordësisë paraprake PD-PS për projketligjin e financimit të fushatave elektorale dhe partive politike, gjithçka duket ende në ‘lojë’, teksa pritet opinioni i Komisionit të Venecias më 13 qershor.
Sa i përket auditimit të Partive nga Kontrolli i Lartë i shtetit Bylykbashi e hedh topin tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Bylykbashi: Praktikisht, një nga problemet kryesore me Kontrollin e Lartë të Shtetit ka qenë pikërisht kërkesa e Kontrollit të Lartë të Shtetit që të shfuqizonte detyrimin që kishte Kontrolli i Lartë i Shtetit të bënte auditimin e financave të partive diku në vitin 2002
E Berisha foli për klauzolë për anulimin e zgjedhjeve nëse ka akuza të vërtetuara për financime të paligjshme.
Berisha: Ajo që ne mendojmë se është e domosdoshme, klauzolat e anulimit të zgjedhjeve. I vendosi Franca, pas akuzave, të themi se s'mund të them se janë të vërteta, pas akuzave për financime të paligjshme nga një shtet i huaj i fushatës elektorale.
Ekspertët e Venecias, poashtu u takuan edhe me kreun e grupit të PS, Taualant Balla. Ky i fundit nënvizon angazhimin e mazhorancës për një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, duke theksuar rëndësinë e përputhjes së legjislacionit shqiptar me praktikat më të mira europiane dhe standardet demokratike ndërkombëtare.
Balla: Rikonfirmuam angazhimin për një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, në përputhje me praktikat më të mira europiane.
Ekspertët e Komisionit të Venecias patën diskutime edhe me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
