“GJIKURIA” KAPET NË KRIM MJEDISOR! IKMT pezullon e gjobit kompaninë për hedhje dherash në Dhërmi
Kompania “Gjikuria” u pezullua dhe u gjobit me 1 milion lekë nga IKMT pasi u kap duke depozituar dhera dhe inerte në Dhërmi, pa qenë e pajisur me Leje Mjedisi të tipit B. Autoritetet e detyruan kompaninë të rehabilitojë zonën e dëmtuar dhe paralajmëruan kontrolle të shtuara në të gjithë vendin.
Kompania “Gjikuria”, është pezulluar në aktivitetin e saj dhe është ndëshkuar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pasi është kapur në krim mjedisor duke hedhur dhera dhe inerte në fshatin Dhërmi.
Këto pamje tregojnë masakrën që kompania Gjikuria kishtë bërë në një prej zonave të cilësuar si perle e bregdetit shqiptar.
Drejtoria Qendrore e IKMT-së njofton se kreu inspektim në zonën e Dhërmiut ku konstatoi një venddepozitim mbetjesh inerte dhe dhera të dala nga gërmimet e kryera nga kompania Gjikuria në krye të fshatit turistik.
Verifikimet zbuluan shekljet e shumëfishta që kompania po kryente, mes të cilave rezultoi se Subjekti Gjikuria rezultoi se nuk ishte i pajisur me Leje Mjedisi të tipit B, cka është detyrim ligjor.
Për shkak të këtyre shkeljeve të konstatuara, IKMT mori masën administrative dënim me gjobë në vlerën 1 milion lekë.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit gjithëashtu ka vendosur menjëherë edhe masën e pezullimit të aktivitetit të Kompanisë Gjikuria deri në pajisjen me lejen përkatëse sipas legjislacionit.
Kompanisë “Gjikuria” iu ngarkua edhe detyrimi për të eliminuar pasojat e shkaktuara në një afat të arsyeshëm, për të rehabilituar zonën ku janë kryer depozitimet e inerteve.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur inspektime në të gjitë vendin për ligjshmërinë
në respektimin e normave dhe standarteve në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim apo menaxhimit të integruar të burimeve ujore, etje.
